Mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Artan Lames

TIRANË, 22 maj/ATSH/ Me trishtim ka reaguar kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, pas lajmit për ndarjen nga jeta të Artan Lames.
“Humbëm Artan Lamen, drejtuesin dhe studjuesin e pasionuar, që kuriozitetin, dijet dhe talentin e tij i vuri në shërbim të ndryshimit, por edhe të rrëfimit bukur të thelbit e tharmit të pandryshueshëm të Shqipërisë. Ngushëllime familjes, të afërmve dhe miqve të shumtë! Paç Paqen e pasosur, Tan”, shkroi Spiropali në rrjetet sociale.
Ndërsa mesazhi in memoriam i ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ishte: “Ende nuk mund ta besoj se je larguar, miku im i mirë. Ikja jote e parakohshme ka lënë një boshllëk të madh tek të gjithë ne që patëm fatin të të njohim e të punojmë bashkë, prej shumë vitesh. Faleminderit për gjithçka që ishe, Tan! Forcë familjes tënde! Pa merak për amanetet e trashëgimisë kulturore e historike. U prehsh në paqe!”
Institucioni i Kadastrës ka ndarë online, një mesazh ngushëllimi pas lajmit të ndarjes nga jeta të Artan Lames, ish-drejtues i Kadastrës Shqiptare dhe një figurë me kontribut të pazëvendësueshëm në reformimin e sistemit kadastral në Shqipëri.
“Për kolegët dhe bashkëpunëtorët, Artan Lame nuk ishte vetëm një drejtues, por një njeri që dinte të dëgjonte, të frymëzonte dhe të krijonte një frymë bashkëpunimi dhe respekti të ndërsjellë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e vlerësuan”, shkruhet në mesazhin e Kadastrës.
Gjatë viteve të drejtimit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lame u dallua për përkushtimin, vizionin dhe përpjekjet e vazhdueshme për t’i shërbyer qytetarëve dhe interesit publik.
E tronditur për lajmin e ndarjes nga jeta të Artan Lames, ka reaguar edhe drejtoresha e Autoritet të Dosjeve, Gentiana Sula. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Autoriteti i Dosjeve ngushëlloi edhe bashkëshorten e të ndjerit, Mirela Dhono Lame, e cila është njëkohësisht punonjëse e këtij institucioni.
“Humbja është e madhe dhe dhimbja e thellë si për familjen, por edhe për të gjithë ata që e njohën dhe vlerësuan si njeri me integritet, vizion e humanizëm”, shkruan Autoriteti i Dosjeve.
Edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka shprehur ngushëllimet e saj për ndarjen nga jeta të Lames. “Lamtumirë Artan Lame. Ngushëllime familjes dhe miqve”, shkruan në rrjetet sociale Koçiu.
Ngushëllime për familjen dhe miqtë e Artan Lames, ka shprehur edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
“E hidhëruar nga ndarja e parakohëshme nga jeta e Artan Lames. Ngushëllime familjes, Mirelës dhe fëmijëve, miqve e shokëve në këtë moment kaq të dhimbshëm për të gjithë!
Qoftë i paharruar kujtimi i tij”, shkroi ministrja Manastirliu në rrjetet sociale.
Po ashtu, ngushëllime ka artikuluar dhe ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i cili shkruan: “Lamtumirë miku dhe shoku im i mirë Artan Lame. Do na mungosh shumë.”
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi shkroi në faqen e saj online: “Shumë i trishtë lajmi për ndarjen nga jeta të Artanit. Ngushëllime bashkëshortes, Mirelës, fëmijëve dhe gjithë të afërmit. I paharruar kujtimi i tij”.
Po ashtu edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka shprehur ngushëllimet e tij.
“Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të z. Artan Lame, një mik i hershëm dhe bashkëpunëtor i nderuar i Muzeut të Bankës së Shqipërisë.
Artani ishte një nga zërat publikë të veçantë që me pasion dhe entuziazëm kontribuoi në promovimin e historisë monetare dhe trashëgimisë sonë kulturore. Si koleksionist, studiues i njohur i numizmatikës, veçanërisht asaj osmane, dhe i historisë shqiptare.
Veprimtaria dhe personaliteti i Lames, si e thërrisnin shumica e miqve të tij, e bënë një promotor aktiv të ruajtjes dhe studimit të trashëgimisë kulturore. Studimet dhe publicistika e tij përfaqësojnë një pasuri të çmuar për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë.
Humbja e Artanit lë pas një boshllëk për komunitetin e koleksionistëve dhe studiuesve të medalistikës, numizmatikës dhe trashëgimisë tonë kulturore.
Në emër të Bankës së Shqipërisë, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, miqve dhe të gjithë atyre që e vlerësuan dhe bashkëpunuan me të. U prehtë në paqe!”, shkruan Sejko.
/a.f/