AKSK bllokon sulmin keqdashës me SMS në emër të një banke të nivelit të dytë

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Një përpjekje për mashtrim ndaj qytetarëve shqiptarë nëpërmjet një SMS-je të rreme, që tentonte të përvetësonte të dhëna bankare në emër të një banke të nivelit të dytë, u parandalua dhe neutralizua në kohë rekord.
Falë bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional me bankën e nivelit të dytë dhe AKEP, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ndërmori menjëherë masat për të bllokuar aktivitetin keqdashës dhe aksesin në faqen mashtruese, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të këtij sulmi të tipit smishing.
SMS-të mashtruese si këto përpiqen të nxisin qytetarët të klikojnë në lidhje të dyshimta dhe të ndajnë informacione të ndjeshme financiare. Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe monitorimit të vazhdueshëm, u parandalua që mos të ketë ndikim drejt qytetarëve shqiptarë.
AKSK u kujton qytetarëve:
Mos klikoni në lidhje të dyshimta nga burime të panjohura.
Mos ndani të dhëna personale apo bankare përmes SMS apo rrjeteve sociale.
Verifikoni gjithmonë adresat zyrtare të bankave apo institucioneve.
Kërkoni ndihmën e një eksperti të sigurisë kibernetike
Raportoni raste të ngjashme të sulmeve kibernetike.
/e.i/j.p/