E Hënë, 2 Nëntor 2026

AKZM evidenton dëmet nga zjarri në Syrin e Kaltër: 30,66 ha sipërfaqe e djegur

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) dhe stafi i Administratës së Zonave të Mbrojtura Vlorë inspektuan sot Parkun Natyror “Syri i kaltër” për të evidentuar dëmet e shkaktuara  nga zjarri i rënë ditët e fundit. Në një postim në rrjetet sociale, AKZM tha se “në vlerësimin paraprak rezulton 30,66 ha e sipërfaqes së përshkruar apo të djegur brenda parkut”. Sipas AKZM-së, analiza e dëmeve dhe humbjeve nga zjarret në pyje dhe kullota është një nga masat e nevojshme për fazën e rimëkëmbjes. AKZM së bashku me stafin e AdZM Vlorë dhe struktura shtetërore janë angazhuar plotësisht për të rikthyer sigurinë te komuniteti, subjektet në zonë dhe vizitorët e shumtë të parkut natyror. “Solidarizimi, bashkimi i përpjekjeve, rimëkëmbja psikologjike dhe emocionale, janë parimet që na udhëheqin në këtë fazë të rimëkëmbjes”, tha AKZM. Ditët e fundit Parku Natyror i Syrit të Kaltër u përfshi nga flakët, të cilat u shuan nga ndërhyrja e forcave zjarrfikëse. Ky park vijon të jetë i mbyllur për vizitorët këto ditë, për të siguruar mirëqenien e gjithë pushuesve. 1 nga 6 /k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›