ALPEX tregtoi një volum prej 1173 GWh energji elektrike në 2024-ën

TIRANË, 7 prill/ATSH/ Në Bursën Shqiptare të Energjisë (ALPEX), në vitin 2024 u tregtua një volum prej 1,173 GWh energji elektrike në Tregun e Ditës në Avancë, me një çmim klerues mesatar prej 112,01 €/MWh, dhe faturimi total (blerje/shitje) arriti në vlerën 301 milionë euro.
Referuar raportit të Entit Rregullator të Energjisë, në zonën e ofertimit në Shqipëri është tregtuar 807 GWh energji elektrike dhe faturimi total (blerje/shitje) ishte 171,4 milionë euro, ndërsa në zonën e ofertimit në Kosovë janë tregtuar 365 GWh energji elektrike dhe faturimi total (blerje/shitje) ishte 129,7 milionë euro.
Volumet e tregtuara të energjisë elektrike në Tregun e Ditës në Avancë, për vitin 2024 u rritën me 41,7% krahasuar me vitin 2023, kur rezultuan 827 GWh, ndërkohë që faturimi total për vitin 2024 u rrit me rreth 80% krahasuar me vitin 2023, i cili ishte 167 milionë euro.
Në Tregun e Ankandeve Brenda të Njëjtës Ditë, përgjatë vitit 2024 u arrit të tregtohej një volum total prej 365,53 MWh energji elektrike, me një çmim klerues mesatar prej 200,8 €/MWh.
Në vitin që lamë pas në ALPEX janë regjistruar 17 anëtarë të rinj të Bursës në Tregun e Ditës në Avancë dhe 2 anëtarë të rinj të Përgjithshëm Klerimi.
Totali i anëtarëve të ALPEX ka arritur në 36 anëtarë burse dhe 4 anëtarë të përgjithshëm klerimi.
Respektivisht, në zonën e ofertimit të Shqipërisë janë të regjistruar 24 anëtarë dhe në zonën e ofertimit të Kosovës janë të regjistruar 12 anëtarë në ALPEX, si dhe 2 anëtarë të përgjithshëm të klerimit në Shqipëri dhe 2 në Kosovë.
Anëtarët e regjistruar në ALPEX. Brenda të Njëjtës Ditë përgjatë vitit arritën në 14.
Viti 2024 ka pasur një dinamikë zhvillimi pozitiv të tregut të energjisë elektrike në vendin tonë, pasi është arritur një objektiv i rëndësishëm, krijimi i tregut të përbashkët energjetik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.
Më 11 prill 2023 u krye ankandi i parë për ditën e livrimit 12 prill 2023 në Tregun e Ditës në Avancë për zonën e ofertimit të Shqipërisë. Më 31 janar 2024 u krye ankandi i parë për ditën e livrimit 1 shkurt 2024 në Tregun e Ditës në Avancë për zonën e ofertimit të Kosovës, duke shënuar bashkimin e tregut të Ditës në Avancë Shqipëri – Kosovë.
Gjithashtu, më 11 dhjetor 2024 u krye ankandi i parë për ditën e livrimit 12 dhjetor 2024 në Tregun e Ankandeve Brenda së Njëjtës Ditë për zonën e ofertimit të Shqipërisë dhe Kosovës, duke shënuar bashkimin e këtij tregu ndërmjet dy vendeve tona. /j.p/r.e/