E Martë, 3 Nëntor 2026

Ndreu i përgjigjet PD-së: Të gjitha punët publike janë të parashikuara në buxhetin e vitit 2025

TIRANË, 7 prill/ATSH/ Maela Marini/ Kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, përmes një videomesazhi iu përgjigj sot pretendimeve të kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike, të cilët akuzojnë bashkinë se po bën fushatë me investimet publike.

Duke nisur nga disa prononcime të kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike që etiketojnë bashkinë si shkelëse të ligjit me punët publike, Ndreu kujtoi se “të gjitha punët publike që po bëhen janë të përcaktuara në buxhetin e vitit 2025, të miratuara nga Këshilli Bashkiak, janë detyrime ligjore për t’u zbatuar”.

Sipas tij, “nuk ka një rregull që dy vjet që ka zgjedhje të rrihet pa punë dhe 2 vjet të punohet”.

“Është një sajesë e turpshme, një mënyrë interpretimi e turpshme, një komunikim jashtëzakonisht jashtë normave dhe standardeve. Unë e kuptoj dilemën e përfaqësuesve të PD-së, problematikën që ata hasin në komunikim me njerëzit, por po u bëj me dije se nuk ka as edhe një shkelje ligji në punën e bashkisë dhe as të qeverisë”, tha Ndreu.

Kryebashkiaku i Lezhës bëri të ditur se të gjitha aktivitetet janë të koordinuara dhe miratuara nga KQZ.

“Ne marrim leje për gjithçka te KQZ. Nëse artikuluesit, kandidatë të PD-së nuk e dinë këtë, mund të marrin informacion ashtu siç kanë informacionin përkatës për ankesën që kanë bërë”, tha Ndreu, ndërsa informoi se KQZ ka pushuar me vendimin e datës 28 mars  ankimimin e tyre administrativ në lidhje me pretendimin për investime elektorale.

Ndreu theksoi se nuk ka as edhe një pikë edhe një presje të investimeve jashtë buxhetit të vitit 2025.

“Të gjitha punët që po bën bashkia në terren janë të miratuara nga Këshilli Bashkiak konformon ligjeve në zbatim të buxhetit. Më vjen shumë keq për lojën e pistë që po luhet me një agresion të shumëfishtë që më është drejtuar mua personalisht dhe i është drejtuar bashkisë Lezhë si institucioni kryesor ku marrin shërbim si të majtë edhe të djathtë”, shtoi ai.

Ndreu shprehu keqardhjen që niveli i politikbërjes ka arritur deri te niveli i fyerjeve, i përbaltjes, thënies së të pavërtetave dhe shpifjeve.

“Do të durojmë me shumë qetësi, do t’i japim përgjigje çdo pretendimi nga cilido që e mendon se ligjet bëhen sikur e thotë ai. Një përgjigje e qartë për këdo që ngatërron veten me fantazinë e shkeljes së ligjit në zbatim korrekt të buxhetit 2025 të Bashkisë Lezhë”, tha Ndreu, ndërsa shprehu keqardhjen për nivelin e ulët të gjykimit dhe pasaktësinë periodike që shesin në publik.

“Disa i panikos puna, por nuk i ndihmojmë dot! Komuniteti do shërbime në çdo kohë”, shtoi ai. /m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›