E Premte, 6 Nëntor 2026

AMP arreston katër efektivë policie për ngjarjen me 4 viktima në Dobraç të Shkodrës

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Autoriteti i Mbikqyrjes Policore ka arrestuar katër efektivë të policisë, në lidhje me atentatin e ndodhur në 30 tetor në Dobraç, ku humbën jetën katër persona. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër-Lezhë) ka ekzekutuar urdhrat e ndalimit caktuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ndaj katër punonjësve të policisë, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”, pasi nuk kanë respektuar procedurat standarde të “Sigurimit të vendit të ngjarjes” dhe shoqërimit për identifikim të personave të gjetur në vendin e ngjarjes.

Efektivët e policisë të arrestuar janë inspektor B. K. dhe V.L., përkatësisht 45 dhe 33 vjeç, me detyrë Patrullë e Përgjithshme e Forcës së Posaçme Shqiponja në DVP Shkodër. Inspektor J. S., dhe M.M., përkatësisht 31 dhe 33 vjeç me detyrë trupë shërbimi në Forcën e Posaçme Shqiponja në DVP Shkodër.

Urdhri i ndalimit vjen pas referimit të bërë nga Drejtoria Rajonale e AMP-së, në lidhje me ngjarjen kriminale të datës 30 tetor, në lagjen Dobraç të Shkodrës, ku persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri ndaj automjetit tip Benz S-Class, në të cilin udhëtonin shtetasit H. L., dhe A. B., si dhe një person tjetër i paidentifikuar. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›