E Diel, 1 Nëntor 2026

AMP ekzekuton masat e sigurisë për katër punonjës policie në Berat

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Fier–Berat) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj katër punonjësve të Policisë së Shtetit.

Masat janë marrë në kuadër të një procedimi penal për veprën “Shpërdorim i detyrës”.

Punonjësit e pezulluar janë: A.S., inspektor, trupë shërbimi në Seksionin e Trafikut Urban dhe Interurban, DVP Berat. M.D., inspektor, trupë shërbimi në Seksionin e Trafikut Urban dhe Interurban, DVP Berat. A.Q., inspektor, trupë shërbimi në Seksionin e Trafikut Urban dhe Interurban, DVP Berat. K.G., inspektor, oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Berat.

Sipas AMP-së, masat e sigurisë u caktuan pas veprimeve hetimore proaktive të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.

Nga hetimet ka rezultuar se punonjësit e dyshuar, gjatë ushtrimit të detyrës, me veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, kanë favorizuar ose penalizuar drejtues mjetesh, të konstatuar në shkelje apo jo të Kodit Rrugor.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thekson se mbetet e angazhuar në luftën kundër abuzimeve dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast shkeljeje apo sjelljeje të paligjshme nga punonjësit e strukturave policore.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›