E Diel, 1 Nëntor 2026

Allushi: Shkarje në dy akse rrugore në qarkun e Vlorës, shemben dy banesa

TIRANË, 7 janar/ATSH-Maela Marini/ Prefektja e qarkut të Vlorës, Evis Allushi bëri të ditur sot se si rezultat i motit të keq ka shkarje në dy akse rrugore në zonat rurale si dhe shembje të dy banesave.

Në një prononcim për ATSH-në, Allushi informoi mbi situatën e shkaktuar nga moti i keq në këtë qark, ku aktualisht ka reshje shiu me intensitet të ulët deri mesatar.

“Me përjashtim të shkarjes së rrugës në fshatin Vajzë dhe rrugës Delvinë-Lefzerhor nuk kemi raportime nga Mbrojtja Civile e 7 bashkive për problematika të tjera”, u shpreh Alushi.

Sipas saj, “akset e tjera rrugore janë të aksesueshme normalisht”.

“Kemi shkarje të bazamentit të rrugës Kotë-Sevaster në fshatin Vajzë, bashkia Selenicë. U monitorua situata në vend dhe u morën masat për devijim e lëvizjes së mjeteve. Si pasojë e shkarjes ka shembje të 2 banesave dhe banorët janë larguar dhe strehuar te të afërmit”, u shpreh Prefektja.

Problematike, sipas saj, paraqitet situata edhe me dëmtimin e rrugës që lidh Delvinën me fshatrat Lefterhor, Sopot, Kakodhiq, aktualisht e paaksesueshme për mjetet.

Lidhur me furnizimin me energji elektrike, Allushi theksoi se ka vijuar normalisht por ka stakime të shpeshta në zonat që furnizohen me linja ajrore, kryesisht në Delvinë, Finiq, Konispol dhe Selenicë.

Ndërkohë furnizimi me ujë të pijshëm, sipas Prefektes, vijon normalisht.

“⁠Hidrovorët janë në gatishmëri dhe uji në basenet e tyre është në kuota minimale. ⁠Niveli i lumit Vjosa në Urën e Mifolit në orën 11:00 është në kuotën 7,2 metra. Vazhdon me tendencë rritjeje, pasi veç prurjeve të Memaliajt që aktualisht është 7 metra, ka prurje dhe nga Shushica. Situata po mbahet në monitorim”, shtoi Alushi.

Ditën e sotme Prefektja zhvilloi një takim edhe në njësinë administrative Novoselë, ku vuri theksin në monitorim e situatës dhe lajmërimin e banorëve për largimin e gjësë së gjallë si dhe përgatitjen për një rast të mundshëm evakuimi.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›