E Diel, 1 Nëntor 2026

Jole: Probleme të izoluara nga reshjet në Qarkun Korçë, 502 abonentë pa energji

TIRANË, 7 janar/ATSH/ Situata në Qarkun Korçë, pas reshjeve të rëna gjatë natës, paraqitet përgjithësisht e qetë, por me disa problematika të izoluara.

Prefekti i Korçës, Nertil Jole tha për ATSH-në se, të gjitha strukturat përgjegjëse janë në gatishmëri të plotë dhe situata po monitorohet në vijim.

Nga inspektimi në terren rezulton se niveli në lumin Devoll dhe Dunavec është rritur, por nuk paraqet rrezik deri në këtë moment, intesiteti i reshjeve aktualisht është i ulët, strukturat janë në terren dhe do të monitorojnë në vazhdimësi.

Rruga Qafplloçë-Qukës ka rënie gurësh dhe aty gjendet Policia Rrugore dhe mjetet e pastrimit. Qendra e fshatit Proger në Bashkinë Devoll është bërë e pakalueshme për mjetet e vogla. Deri në këto momente nuk raportohen dëme materiale.

Segmenti Ersekë – Leskovik ka rënie të rrugës, ndërkohë që janë marrë masat nga strukturat për vendosjen e sinjalistikës provizore dhe subjekti kontraktor është në vendngjarje.

Nga komunikimi i fundit me strukturat vendore të mbrojtjes civile dhe institucionet përgjegjëse, mësohet se ka prani uji në afërsi të banesave në fshatrat Çiflig dhe Shamoll (NjA Bulgarec). Si pasojë e prurjeve të shumta të përroit, është bërë e pakalueshme rruga për në fshatin Denas (NjA Lekas) nga strukturat përgjegjëse janë marrë masat për ndërhyrje.

Në bashkitë Kolonjë, Maliq, Devoll dhe Pustec nuk raportohen situata emergjente apo dëme. Në Bashkinë Pogradec është konstatuar një rrëshqitje dheu në fshatin Dardhas, ku po punohet për rikthimin e kalueshmërisë. Në Rrëmenj lumi ka arritur nivelin maksimal por  nga shtrati por po punohet me mjete për normalizimin e situatës.

Në aksin Lozhan -Moglicë ka pasur rënie gurësh dhe rrëshqitje dherash. Po kryhen ndërhyrjet për pastrim dhe qarkullimi vijon normalisht, me kufizime të përkohshme në zonat e ndërhyrjes.

Drejtoria Rajonale e Ujitjes dhe Kullimit raporton për një çarje në argjinaturë në përroin e Oshticës (Bilisht), por ndërhyrja do të kryhet sapo të ulen prurjet. Lumi Dunavec ka prurje të konsiderueshme, por po monitorohet vazhdimisht dhe aktualisht nuk paraqet rrezik.

OSHEE ka njoftuar se Fideri 9, N/Stacioni Lozhan ka 502 abonentë pa energji elektrike, ndërkohë grupet janë në terren për rikthimin e furnizimit.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›