E Diel, 1 Nëntor 2026

ANALIZË – Moska sheh mundësi strategjike, ndërkohë që konflikti në Iran përshkallëzohet

MOSKË,  9 mars /ATSH-/ – Ndërsa raketat dhe bombardimet amerikane e izraelite vazhdojnë të godasin Iranin, Rusia ka reaguar vetëm me deklarata të ashpra, pa ndërmarrë ndonjë veprim të dukshëm për të mbështetur aleatin e saj në Lindjen e Mesme, sipas AP.

Ky qëndrim i kujdesshëm lidhet me fokusin e presidentit rus Vladimir Putin te lufta në Ukrainë dhe me shpresën se konflikti në Iran mund të sjellë përfitime për Moskën, duke rritur të ardhurat nga nafta dhe duke dobësuar mbështetjen perëndimore për Kievin.

Megjithatë, pavarësisht kritikave të forta ndaj sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit, Moska duket se po llogarit se konflikti mund të punojë në favor të saj.

Rusia tashmë po përfiton nga rritja e çmimeve të energjisë, e shkaktuar nga ndërprerjet në transportin e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit dhe nga dëmtimet në infrastrukturën energjetike në vendet e Gjirit. Nëse luftimet përshkallëzohen, të ardhurat e shtuara nga energjia mund të ndihmojnë Moskën të financojë operacionet ushtarake në Ukrainë dhe të mbulojë deficitin buxhetor.

Kremlini shpreson gjithashtu se lufta në Iran do të largojë vëmendjen ndërkombëtare nga Ukraina, do të shterojë arsenalet e vendeve perëndimore dhe do të detyrojë SHBA-në dhe aleatët e saj në NATO të reduktojnë ndihmën ushtarake për Kievin.

Reagimi i shpejtë i Rusisë

Disa orë pasi nisi lufta më 28 shkurt, Ministria e Jashtme ruse dënoi sulmin amerikan dhe izraelit ndaj Iranit si një “akt të qëllimshëm, të paramenduar dhe të paprovokuar agresioni të armatosur kundër një shteti sovran dhe të pavarur anëtar të OKB-së”.

Një javë pas fillimit të konfliktit, Putin zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin iranian Pezeshkian, duke theksuar se Moska dëshiron një përfundim sa më të shpejtë të luftimeve.

Para kësaj, ai kishte zhvilluar një seri telefonatash me liderët e vendeve të Gjirit, në një përpjekje për të forcuar marrëdhëniet me shtetet që janë gjithnjë e më të rëndësishme për Rusinë si pjesë e grupit OPEC+ dhe si partnerë tregtarë që ndihmojnë në shmangien e sanksioneve perëndimore.

Kremlini tha se Putin do t’i përcjellë Teheranit shqetësimin e thellë të liderëve të Gjirit për sulmet ndaj infrastrukturës së tyre dhe do të bëjë përpjekje për të ulur tensionet në rajon.

Në një bisedë tjetër me homologun e tij iranian, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov theksoi rëndësinë e mbrojtjes së civilëve dhe të infrastrukturës civile në të gjitha vendet e rajonit.

Eksperti i politikës ruse Mark Galeotti tha se Rusia ka qenë një aktor mjaft efektiv në Lindjen e Mesme dhe se me përshkallëzimin e luftës shumë vende të rajonit mund të fillojnë të shohin më shumë drejt Moskës.

Partnerë të vështirë

Megjithëse Rusia dhe Irani nënshkruan një traktat “partneriteti strategjik gjithëpërfshirës” në janar 2025, marrëdhëniet e tyre kanë pasur gjithmonë elemente rivaliteti.

Edhe pse të dy vendet kundërshtojnë rendin ndërkombëtar të udhëhequr nga Perëndimi, Irani ka qenë shpesh një partner i vështirë për Rusinë. Gjatë Luftës së Ftohtë, tensionet mes Moskës dhe Teheranit ishin të mëdha, ndërsa pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, udhëheqësi iranian Ajatollah Ruhollah Khomeini e quajti Bashkimin Sovjetik “Satanin e vogël”.

Marrëdhëniet u përmirësuan pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, kur Rusia u bë një partner i rëndësishëm tregtar për Iranin dhe ndihmoi në ndërtimin e centralit të parë bërthamor iranian në Bushehr.

Gjatë luftës civile në Siri, që shpërtheu në vitin 2011, Rusia dhe Irani bashkëpunuan për të mbështetur regjimin e Bashar Assadit, por nuk arritën të parandalonin rënien e tij në dhjetor 2024.

Pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, Irani i furnizoi Rusisë dronë “Shahed” dhe më vonë lejoi prodhimin e tyre në territorin rus.

Megjithatë, pavarësisht afrimit me Teheranin, Moska ka ruajtur gjithashtu marrëdhënie të mira me Izraelin, gjë që ka ngjallur dyshime në udhëheqjen iraniane për qëllimet e saj reale.

Analisti ushtarak rus Sergei Poletaev tha se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë gjithmonë komplekse dhe sfiduese.

Kur SHBA dhe Izraeli goditën Iranin në qershor 2025, zyrtarët rusë theksuan se partneriteti strategjik mes dy vendeve nuk përfshin ndihmë të ndërsjellë ushtarake në rast agresioni.

I pyetur nëse Rusia mund t’i ofrojë armë Iranit, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Moska nuk ka marrë një kërkesë të tillë nga Teherani.

 Informacione për Iranin

Sipas dy zyrtarëve amerikanë të inteligjencës, Rusia i ka dhënë Iranit informacione që mund ta ndihmojnë Teheranin të godasë anije luftarake amerikane, avionë dhe objektiva të tjera në rajon.

Megjithatë, këta zyrtarë theksuan se inteligjenca amerikane nuk ka gjetur prova që Rusia po i dikton Iranit se si të përdorë këto informacione.

Peskov refuzoi të komentojë nëse Rusia i ka dhënë ndihmë ushtarake ose inteligjence Iranit që nga fillimi i luftës, duke thënë vetëm se Moska vazhdon dialogun me udhëheqjen iraniane.

Pak ndikim në autoritetin e Putinit

Vrasja e Khameneit ka ringjallur diskutimet për dështimin e Rusisë për të mbrojtur aleatët e saj, por disa analistë paralajmërojnë se ndikimi i kësaj në autoritetin e Putinit mund të jetë i kufizuar.

Sipas Galeottit, Rusia dhe Irani kanë qenë gjithmonë aleatë pragmatikë dhe jo partnerë të ngushtë.

Ai shtoi se nëse regjimi iranian dobësohet, por nuk rrëzohet, kjo mund ta bëjë atë një partner më të menaxhueshëm për Rusinë.

Ndërkohë, Kina, një nga blerësit kryesorë të naftës iraniane.  mund të rrisë importet e naftës ruse nëse konflikti përshkallëzohet.

Turqia gjithashtu mund të rrisë importet e gazit rus nëse furnizimet nga Irani ndërpriten.

Marrëdhënia Putin–Trump

Analisti Sam Greene nga King’s College London vlerëson se Putin nuk do të rrezikojë marrëdhënien e tij me presidentin amerikan Donald Trump për të mbështetur Iranin.

Sipas tij, kjo marrëdhënie i jep Putinit një levë të rëndësishme ndaj Evropës.

Ndërkohë, ndërsa SHBA dhe aleatët e saj përdorin gjithnjë e më shumë sistemet e mbrojtjes ajrore “Patriot” për të përballuar raketat iraniane që godasin Izraelin dhe vendet e Gjirit, Rusia mund të përfitojë nga kjo situatë.

Një konflikt i zgjatur do të tërhiqte vëmendjen dhe burimet ushtarake nga Ukraina, duke përfshirë sistemet e mbrojtjes raketore, të cilat mund të mungojnë për Kievin.

Siç theksoi Galeotti: “Sa më shumë sisteme Patriot të përdoren në këtë konflikt, aq më pak do të jenë të disponueshme për SHBA-në dhe aq më e vështirë do të jetë t’i dërgohen Ukrainës”. /Ad.Ab/.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›