Macron: Aleatët duhet të mbrojnë anijet në Ngushticën e Hormuzit

PARIS, 9 mars /ATSH-DPA/- Franca po punon me vendet partnere për të lehtësuar rritjen e tranzitit të anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit sapo të kalojë faza më intensive e luftimeve në rajon, deklaroi presidenti francez Emmanuel Macron gjatë një vizite sot në Qipro.
Presidenti Macron tha se dislokimi do të ketë karakter thjesht mbrojtës dhe synon shoqërimin e cisternave të naftës dhe anijeve kontejner sapo të zbutet faza më e ashpër e luftës aktuale, në të cilën forcat amerikane dhe izraelite po godasin objektiva iraniane.
Sipas tij, kjo rrugë detare është jetike për tregtinë globale, veçanërisht për transportin e naftës dhe gazit.
Presidenti francez bëri thirrje që përgatitjet për një mision shoqërimi të realizohen së bashku me partnerë evropianë dhe jo-evropianë, pa përmendur konkretisht vendet që mund të marrin pjesë.
Aktualisht, vetëm pak anije po kalojnë nëpër këtë ngushticë, nga e cila zakonisht kalon rreth 20% e tregtisë globale të naftës dhe gazit.
Përveç naftës bruto, cisternat transportojnë edhe gaz natyror të lëngëzuar nga Katari dhe vende të tjera të Gjirit drejt tregjeve ndërkombëtare. Irani ka mohuar raportimet se synon ta mbyllë plotësisht ngushticën. /Ad.Ab./