ANDI MUSTAFAJ/ Çfarë duhet të bëjë një protestues që do edhe Berishën në burg

Nëse një protestues dëshiron vërtet të shohë Kryetarin e partisë sonë në burg, ja çfarë i duhet.
I duhet të vijë në pushtet, që të nisë hetimet që dëshiron.
Që të vijë në pushtet, duhet të ketë zgjedhje të lira.
Që të ketë zgjedhje të lira, duhet të largohet arkitekti i sistemit, autokrati Edi Rama.
Që të largohet arkitekti i sistemit, duhet të krijohet rreth tij një trysni aq e madhe sa ta detyrojë të ikë.
Që të krijohet ajo trysni, duhet që të gjithë ata që janë kundër tij të bashkohen, duke lënë mënjanë inatet për njëri-tjetrin.
Ndarja dhe përjashtimi gjenden në zanafillën e dështimit të këtij zinxhiri, i cili nuk ka asnjë hallkë që mund të kapërcehet.
E vetmja mënyrë që ai protestues ka për të na futur në burg nesër, është të jetë me ne sot.
Kjo sigurisht vetëm nëse protestuesi që bërtet e ka seriozisht. Nëse thirrja e tij është bindje dhe jo posturë politike, nëse qëllimi i vërtetë nuk është dobësimi i protestës.
Ne, për shembull, e kemi kuptuar këtë anakronizëm. Nuk kërkojmë certifikata pastërtie në protestë.
E vetmja mënyrë që ne të arrijmë nesër realizimin e programit të Partisë Demokratike, është të jemi sot me atë që na shan. Sado e vështirë të jetë, duhet t’i qëndrojmë këtij parimi.
Lufto propagandën. Mos u bëj vektor i saj.