BESART XHAFERRI/ Të bashkohemi për atë që na bashkon

PD nuk bën garë me asnjë faktor shoqëror se kush e zotëron sheshin e protestës!
Partia Demokratike nuk ka nevojë t’i dëshmojë askujt se protestën e ka në ADN-në e saj. Këtë e dinë mirë shqiptarët që jetojnë dhe përballen çdo ditë me realitetin e Shqipërisë, jo ata që e njohin vendin nga seminaret e OJF-ve dhe e shohin botën me syze rozë.
PD nuk përzë askënd nga protesta. Përkundrazi, i bashkohet kujtdo që ngrihet kundër padrejtësisë!
Prej vitesh, kauzat e rinisë dhe studentëve kanë qenë pjesë e protestave tona, programeve tona elektorale dhe angazhimeve që u kemi dhënë shqiptarëve.
PD bashkëpunon me këdo që kërkon bashkim për të rrëzuar Edi Ramën, por përbuz çdo përpjekje të atyre që, në vend që të luftojnë regjimin, zgjedhin të luftojnë pjesëmarrësit në protestë!
Në ditë të këqija dhe në kohë lufte, shqiptari e ka mirëpritur gjithmonë këdo që i ka ardhur në krah.
Sot Shqipëria është në një nga ditët e saj më të këqija. Është një vend në luftë për lirinë, demokracinë dhe të ardhmen e vet!
Ata që kanë luksin ta harrojnë këtë, me sa duket nuk janë në ditë të këqija apo në kohë lufte. Janë në ditë shërbimi ndaj atij që pretendojnë se po luftojnë!
Megjithatë, kjo është një temë që i ka lodhur shqiptarët. Madje, rrezikon t’i lodhë më shumë sesa vetë padrejtësitë me të cilat përballen çdo ditë nga regjimi i Edi Ramës.
Sponsorizuar
Prandaj, le t’ua kursejmë shqiptarëve këto debate të kota!
Le të përqendrohemi te strategjia e duhur, te bashkimi dhe te qëllimi që duhet të na udhëheqë të gjithëve.
Pa kokëfortësi, pa arrogancë, pa gara protagonizmi! Por me urtësi, mençuri dhe vendosmëri!
Sepse kundërshtari ynë nuk fle!
Ai kënaqet kur sheh përçarje. Qetësohet kur sheh se energjitë e protestës shpenzohen në beteja mes nesh. Dhe bën gjithçka që këto përçarje të thellohen e të vazhdojnë.
Sheshi nuk është pronë e askujt. Protesta u përket qytetarëve. Dhe beteja jonë nuk është me njëri-tjetrin, por me Edi Ramën!
Kush kërkon ndryshimin, është në të njëjtën anë të historisë.
Të bashkohemi për atë që na bashkon, jo të përçahemi për atë që na dallon!