E Diel, 1 Nëntor 2026

ATHINË – BE heq Greqinë nga lista e monitorimit makroekonomik pas 16 vitesh

ATHINË, 3 qershor /ATSH-DPA/ – Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis përshëndeti  vendimin e Komisionit Evropian për ta hequr Greqinë nga lista e vendeve të Bashkimit Evropian me çekuilibra makroekonomikë.

Sipas Mitsotakis, kz veprim “mbyll një kapitull negativ që nisi 16 vjet më parë”. Në një postim në Facebook, ai tha se vendimi është rezultat i punës së qytetarëve dhe institucioneve shtetërore dhe se nuk përbën thjesht një vlerësim teknik, por “themelet për një jetë më të mirë”.

Kryeministri konservator, i cili drejton qeverinë greke që nga viti 2019, shtoi se suficitet buxhetore të arritura tani mund të përdoren për rritjen e pagave dhe pensioneve.

Vendimi i Komisionit Evropian shënon fundin e një forme tjetër të mbikëqyrjes ekonomike të Greqisë nga BE-ja. Sipas vlerësimit të Brukselit, rreziqet që lidhen me borxhin publik dhe atë të jashtëm janë ulur ndjeshëm, ndërsa ekonomia ka shënuar rritje të qëndrueshme, janë avancuar reformat dhe është stabilizuar sektori bankar.

Greqia përfitoi disa paketa ndërkombëtare shpëtimi financiar midis viteve 2010 dhe 2018, gjatë krizës së zgjatur të borxhit sovran. Në kulmin e krizës, veçanërisht në vitin 2015, vendi u gjend disa herë pranë largimit nga eurozona. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›