ATP: Nga shtatori do të vijojë nxjerrja e vendimeve për kërkesat për njohje pronësie

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njoftoi sot qytetarët se, duke nisur nga muaji shtator, do të vijojë me nxjerrjen e vendimeve për kërkesat për njohje pronësie.
Sipas ATP-së, një numër i konsiderueshëm dosjesh rezultojnë ende me dokumentacion të paplotë, pavarësisht njoftimeve të dërguara nga ATP-ja për plotësimin e tij.
ATP thekson se mungesa e dokumentacionit të kërkuar mund të sjellë përfundimin e shqyrtimit me vendim për mosnjohje pronësie ose rrëzim të kërkesës.
Gjithashtu, sqaron ATP, çdo subjekt ka të drejtë ta ankimojë vendimin brenda afatit ligjor 30-ditor në gjykatën kompetente të apelit.
“Për të marrë njoftimin e vendimit në kohë, ju lutemi të përditësoni pranë ATP-së adresën e banimit dhe të dhënat e tjera të kontaktit”, theksoi ATP.
/m.q/j.p/r.e/