Rama rreshton objektivat e mandatit të 4-rt: Shqipërinë “lum kush të rrojë ta shohë zonjë”

TIRANË, 14 maj /ATSH/ Nga sheshi “Skënderbej” kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste mbajti sot një fjalim falënderues për qytetarët shqiptarë pas fitores së zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Në fjalën e tij kreu i qeverisë, u ndal edhe tek premtimet për mandatin e katërt.
Për drejtësinë Rama tha “ky është një mandat për ta mbartur me shpirt ndër dhëmbë gurin e pavarësisë së drejtësisë dhe barazisë para ligjit, deri sa mos e luaj më topi nga themelet e ngrehinës europiane të shtetit shqiptar ku fantazmat e pandëshkueshmërisë, nuk do të gjejnë më kurrë vend”.
Rama shtoi më tej se “ky është një mandat që shqiptarët na e besuan ne, në një kohë kur gjëmimet dhe kanosjet e luftës dhe rrëmuja e re gjeopolitike paralajmëron kohë dhe sfida të mëdha para, se shqiptarët e dinë se vetëm ne dhe askush tjetër, mund të udhëheqim Shqipërinë në një kohë të tillë pa humbur busullën dhe pa humbur ritmin”.
Për sa i përket integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, Rama tha se do të bëjmë çmos për këtë sfidë historike për futjen e vendit në BE.
“Ky është një mandat për një sfidë historike, e cila na imponon të bëjmë çmosin për të qenë më të bashkuar dhe sa më të vetëdijshëm për fatin që na ka ardhur në dorë, por nuk na ka ardhur përgjithmonë, prandaj na takon ne t’i japim fund historisë së një populli të dorës së dytë të nëpërkëmbur e të përjashtuar nga fati i vet dhe t’i dorëzojmë fëmijëve tanë brenda kufijve të BE-së ku askush më kurrë të mos e shohë shqiptarin si të huaj dhe kur shqiptarët të jenë përgjithmonë zot të barabartë shtëpie”, tha Rama.
Rama u ndal edhe të premtimet e tjera në këtë mandat, për rritjen e prodhimit kombëtar, rritjen e të ardhurave për frymë, rritjen e pensioneve si dhe rritjen e pagave.
“Ky është në mandat për një Shqipëri të re me një pozicion dhe fuqi të re për të cilën ne do ta rrisim prodhimin kombëtar nga 25 miliardë euro që e kemi sot në 35 miliardë euro. Do t’i rrisim të ardhurat për frymë nga 10 400 euro që i kemi sot në të paktën 15 mijë euro. Do ta rrisim pagën mestarë në sektorin publik nga 1000 euro që e kemi sot në të paktën në 1 200 euro.
“Do ta rrisim pagën e përgjithshme mestarë nga 830 euro që e kemi në mbi 1000 euro. Ky është një mandat ku ne do të jemi më pranë pensionistëve me qëllimin që ta ngremë pensionin minimal në 200 euro, ndërkohë që pagën minimale do të ngremë në 500 euro. Në Shqipërinë 2030 paga minimale do të jetë të paktën 650 euro”, tha Rama.
Rama shtoi se “ky është një mandat për Shqipërinë turistike me investime shembullore të nivelit më të lartë nga veriu në jug dhe me Tiranën si platformë e një koleksioni spektakolar të arkitekturës
“Ky është një mandat për Shqipërinë me një industri të rilindur ushtarake dhe me një industri të zhvilluar agro-ushqimore, ky është një mandat për Shqipërinë me një nivel ende më të lartë sigurie rrugë kombëtare, qytete të mëdha e shkolla të mbuluara me kamera inteligjent për sigurinë e gjithë fëmijëve tanë në radhë të parë”, tha Rama më tej.
Rama foli dhe për investimet që do të bëhen në shëndetësi.
“Ky është një mandat për Shqipërinë me një qendër Shëndetësore rajonale Ekselence në kompleksin e QSUT-së me një spital ultra modern të gjeneratës së fundit në zonë e Durrësit.
Ky është një mandat për Shqipërinë me një universitet Evropian Mjekësie, me një nivel të ri mbrojtje të mjedisit dhe administrimit të mbetjeve”, tha Rama.
Rama theksoi se “është një mandat për Shqipërinë me shërbime digjitale ende më moderne për qytetarët, me një arsim ende më të zhvilluar digjital, me parqe digjitale dhe me një ekosistem shumë më të zhvilluar digjital”.
“Ky është një mandat për Shqipërinë me Korridorin Blu dhe Korridorin e VIII që do të hyjë në operim me portin e madh tregtar të Durrësit që do të hyjë në operim, me porte turistike në operim, me 4 aeroporte në operim dhe me hekurudhat kryesore në kantier”, u shpreh Rama.
Rama nënvizoi se “ky është një mandat me besim të lartë, për një besim të lartë tek Shqipëria tamam siç e pa Naimi kur u ngazëllye dhe këndoi “Jak’ e vërtetë! Pse rri e qetë? Për Shqipërinë, ditët e mira paskëtaj vinë shkoj errësira, lum kush të rronjë, t’a shohë zonjë!”.
/a.f/