E Hënë, 2 Nëntor 2026

AUSTRI – Wadephul: Gjermania në kontakt me talebanët vetëm në nivel teknik

VJENË, 10 korrik /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, shprehu sot  kundërshtimin e tij ndaj rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me liderët talebanë të Afganistanit  edhe pse qeveria e re gjermane ka përmendur mundësinë e bashkëpunimit me regjimin – për të lehtësuar dëbimet.

Kjo vjen pasi ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, tha se po kërkon të zhvillojë bisedime me talebanët, të cilët morën sërish pushtetin në Afganistan në gusht të vitit 2021 – për t’i dhënë Gjermanisë mundësinë të kthejë mbrapsht personat e dënuar për krime.

Por ministri i Jashtëm Wadephul, gjatë një takimi me homologët e tij austriak dhe izraelit në Vjenë, theksoi se kontaktet e Gjermanisë me talebanët ishin vetëm të natyrës teknike dhe se Berlini vazhdonte të refuzonte të njihte liderët talebanë si drejtues zyrtarë të qeverise në Afganistan.

Ai shtoi se kjo vlen edhe për Ministrinë e Brendshme.

Ndërkohë, Wadephul shprehu shqetësim për situatën humanitare në Afganistan nën sundimin e talebanëve, veçanërisht për gratë dhe vajzat.

Gjermania e pezulloi dëbimin e qytetarëve afganë pas marrjes së pushtetit nga talebanët, por pas një serie sulmesh të përgjakshme të kryera nga migrantë gjatë dy viteve të fundit, përfshirë nga shtetas afganë, disa kanë kërkuar që dëbimet të rifillojnë. /Ad.Ab./ /a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›