AZHBR publikon listën me 837 aplikantët e kualifikuar për mbështetje në serra

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) publikoi listën e fermerëve përfitues nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2025, për masën “Mbështetje për serra dhe kontroll biologjik”.
Sipas Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, (AZHBR) janë 837 aplikantë të shpallur përfitues të financimit të drejtëpërdrejtë nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2025, për mbështetje në prodhimin e perimeve në serra.
AZHBR bën të ditur se, pagesa për këtë masë parashikon financim të fermerëve, në vlerën deri në 200 000 lekë për ha për kultivimin e perimeve, rrushit për tavolinë në serra dhe/ose luleshtrydhe në tunele plastike për fermer/aplikant, me sipërfaqe të mbjellë jo më pak se një ha.
Për sipërfaqen mbi 5 ha, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “Grup fermerësh” ose “SHBB”.
Gjithashtu përfitojnë pagesë shtesë fermerët që përdorin kontrollin biologjik të dëmtuesve të perimeve (domate, speca, tranguj, luleshtrydhe).
Masa e përfitimit është në 50% të vlerës totale të faturave tatimore për blerjen e materialeve biologjike, përfshirë insektet e dobishme, por jo më shumë se 30 000 mijë lekë për dynym, në rastin e dy mbjelljeve në vit.
Për fermerët individualë, që aplikojnë për mbështetje vetëm për kontrollin biologjik, sipërfaqja minimale e kultivuar është 3 dynym, ndërsa për aplikantët me status “Grup fermerësh” ose “SHBB”, sipërfaqja minimale është një ha për secilën nga mbjelljet. /j.p/