Dosja “Buka”, GJKKO kalon për gjykim në themel Arben Ahmetajn

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për dërgimin në gjyq të ish-ministrit Arben Ahmetaj i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”. Vendimi u mos sot nga gjytqari Erjon Çela.
GJKKO njoftoi se vendosi “dërgimin për gjykim të procedimit penal të vitit 2022, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në ngarkim të të pandehurit: Arben Ahmetaj, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës””.
“Urdhërohet formimi i fashikullit të gjykimit duke përfshirë në të aktet e hetimeve paraprake dhe aktet e seancës paraprake.
“Urdhërohet depozitimi i vendimit gjyqësor të dërgimit të çështjes në gjyq së bashku me fashikullin e gjykimit në sekretarinë e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si gjykata kompetente për gjykimin e çështjes së themelit, brënda dhjetë ditëve nga shpallja e tij”, njoftoi GJKKO.
Kundër këtij vendimi nuk lejohet e drejta e ankimit.
Sipas SPAK Ahmetaj akuzohet në dosje se gjatë kohës kur shërbente si ministër Financash, lejoi privatizimin e trojeve e shoqërisë “Buka Sha”, përmes ankandit të aksioneve shtetërore.
Sipas SPAK dyshohet se ai i ka shkaktuar shtetit shqiptar dëm ekonomik në vlerën 7 miliardë lekë.
/m.q/j.p/