FOKUS – Asnjë ndryshim në qëndrimin gjerman, ndërsa Franca mbështet një shtet palestinez

BERLIN, 25 korrik /ATSH-DPA/ – Gjermania nuk planifikon të ndjekë hapat e Francës dhe të njohë Palestinën si shtet në të ardhmen e afërt, tha sot zëdhënësi i qeverisë Stefan Kornelius.
Ai tha se qeveria gjermane e sheh njohjen si “një nga hapat e fundit” në rrugën drejt një zgjidhjeje me dy shtete, e cila parashikon një shtet të pavarur palestinez që bashkëjeton në mënyrë paqësore përkrah Izraelit.
‘’Por, negociatat janë të nevojshme për të sjellë paqe dhe siguri të qëndrueshme për izraelitët dhe palestinezët’’, tha Kornelius.
“Prioriteti i qeverisë gjermane tani është të arrijë përparime në çështjet më urgjente”, tha ai.
Këto përfshijnë një armëpushim në luftën e Gazës, lirimin e pengjeve izraelite nga Hamasi dhe çarmatimin e grupit islamik palestinez.
Kornelius i bëri përsëri thirrje Izraelit që “të përmirësojë menjëherë dhe në mënyrë drastike situatën katastrofike humanitare në Gaza” dhe “t’i sigurojë popullsisë civile që vuan furnizime humane dhe të nevojshme urgjentisht”.
Për më tepër, ai tha se një vizion politik i qëndrueshëm për Gazën është i nevojshëm në mënyrë që një armëpushim i përkohshëm të mund të sjellë në fund të fundit paqe të qëndrueshme.
‘’Izraeli gjithashtu duhet të përmbahet nga ndërmarrja e çdo hapi të mëtejshëm drejt aneksimit të Bregut Perëndimor”, tha ai.
Zëdhënësi i qeverisë tha se Gjermania është në kontakt të vazhdueshëm me qeverinë izraelite dhe partnerët e saj ndërkombëtarë për këtë çështje dhe “është e përgatitur të rrisë presionin nëse nuk arrihet përparim”.
Ai nuk specifikoi se çfarë masash mund të përfshijë kjo.
Presidenti francez, Emmanuel Macron njoftoi të enjten se Franca do ta njihte Palestinën si shtet në shtator.
Pothuajse 150 shtete anëtare të OKB-së tashmë e njohin shtetësinë palestineze.
Megjithatë, vendet e rëndësishme perëndimore nuk janë midis tyre, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar, të cilat kanë fuqi vetoje në OKB./ /os/