METEO – Moti i akullt shkakton mbylljen e aeroporteve në Vjenë, Pragë dhe Bratislavë

VJENË, 13 janar /ATSH/- Kushtet e ashpra të ngricave kanë shkaktuar mbylljen e aeroporteve në Vjenë, Pragë dhe Bratislavë dhe penguar fluturimet në të gjithë Evropën Qendrore, sipas “Reuters”.
Moti i akullt ka detyruar mbylljen e përkohshme të Aeroportit të Vjenës, me operacionet e pezulluara deri të paktën në orën 11:00 të mëngjesit.
Sipas një zëdhënësi, në pistat e uljes dhe ngritjes në Vjenë u formua një shtresë e trashë akulli, e cila vazhdoi të krijohej edhe pas përpjekjeve për pastrimin e saj. Si rezultat, fluturimet po devijohen në aeroporte alternative.
Moti i ashpër dimëror ka ndërprerë gjithashtu operacionet në Aeroportin e Pragës, ku shiu i ngrirë e ka lënë aeroportin të funksionojë në një “modalitet shumë të kufizuar”.
Autoritetet paralajmëruan se priten vonesa gjatë gjithë ditës, me mbërritje të kufizuara ndërsa ekipet po punojnë për të shkrirë akullin në pistën kryesore.
Në Sllovakinë fqinje, Aeroporti i Bratislavës u mbyll për shkak të kushteve të motit ekstrem deri në orën 11:15 të mëngjesit.
Gjatë valës së të ftohtit, një stuhi e fortë dëbore e quajtur “Stuhia Goretti” shkaktoi deri në 15 centimetra dëborë, duke çuar në anulime të fluturimeve, përfshirë destinacione të tilla si Varshavë, Paris dhe Frankfurt dhe vonesa të mëdha, ndërsa ekipet e pistës luftuan për të mbajtur sipërfaqet të sigurta. //a.i/