Abbas fjalim virtual në OKB: Koha që komuniteti ndërkombëtar t’i bëjë drejtësi popullit palestinez

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas mbajti fjalimin e tij virtual në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara me një mesazh shprese, duke deklaruar se populli palestinez do të mbetet i rrënjosur në tokat e veta, pavarësisht përpjekjeve të Izraelit për t’i dëbuar.
Në fjalimin e tij Abbas theksoi vendosmërinë e palestinezëve për të qëndruar të palëkundur dhe për të rindërtuar nga rrënojat e luftës.
“Populli ynë do të mbetet i rrënjosur si pemët e ullirit. Të fortë si shkëmbinjtë, ne do të ngrihemi nga nën rrënoja për ta rindërtuar,” tha Abbas, duke përdorur simbolikën e ullirit, një emblemë e qëndrueshmërisë palestineze, ndërsa shtoi se “sado që të rrjedhin gjak plagët tona dhe sado të zgjasë kjo vuajtje, ajo nuk do të thyejë vullnetin tonë për të jetuar dhe mbijetuar.”
Në fjalimin e tij, Abbas përsëriti aspiratën e popullit palestinez për të jetuar në liri, siguri dhe paqe, ashtu si popujt e tjerë të botës.
“Ne duam të jetojmë në liri, siguri dhe paqe, si të gjithë popujt e tjerë në tokë, në një shtet të pavarur dhe sovran në kufijtë e vitit 1967, me Jerusalemin Lindor si kryeqytetin tonë, në siguri dhe paqe me fqinjët tanë,” deklaroi ai.
Kjo kërkesë për një shtet palestinez me kufijtë e para vitit 1967, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet, është një qëndrim i kahershëm i Autoritetit Palestinez në negociatat për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez.
Abbas theksoi se paqja nuk mund të arrihet pa drejtësi dhe se drejtësia është e pamundur pa çlirimin e Palestinës nga okupimi izraelit.
“Paqja nuk mund të arrihet nëse drejtësia nuk arrihet, dhe nuk mund të ketë drejtësi nëse Palestina nuk çlirohet,” u shpreh ai, duke bërë thirrje për veprim ndërkombëtar për të adresuar padrejtësitë ndaj popullit palestinez.
Presidenti palestinez kritikoi komunitetin ndërkombëtar për mosveprimin e mjaftueshëm në mbështetje të të drejtave të palestinezëve.
“Ka ardhur koha që komuniteti ndërkombëtar t’i bëjë drejtësi popullit palestinez, që ata të mund të fitojnë të drejtat e tyre legjitime për t’u çliruar nga okupimi dhe për të mos mbetur peng i temperamentit të politikës izraelite,” tha Abbas.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar, veçanërisht pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, i cili shkaktoi rreth 1,200 viktima dhe mori 251 pengje, dhe operacioneve pasuese ushtarake izraelite që kanë rezultuar në shkatërrime të mëdha dhe humbje jetësh në Gazë.
/rtsh.al/