E Diel, 1 Nëntor 2026

TKOB prezanton sezonin artistik shtator-dhjetor 2025, hapet të premten me “La Traviata” nga kompozitori Giuseppe Verdi

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit prezantoi kalendarin artistik për katërmujorin e fundit të vitit, me premiera, rivenie dhe bashkëpunime.

Drejtori Aulon Naçi theksoi synimin për hapjen ndaj publikut në të gjithë vendin dhe afrimin e të rinjve me skenën.

“Kemi një seri koncertesh simfonikë, ku do të veçoja disa prej tyre, duke nisur me atë që sapo fola me violinistin Giuseppe Gibboni. Një nga koncertet që do të mirëpritet do të jetë koncerti Beethovenit me violinistin Jonian Kadesha”, tha Naçi.

Në balet, nën drejtimin e Edi Blloshmit, sezoni hapet me edicionin e 4-t të International Dance Festival, ku spikasin një homazh për muzikën e Ennio Morricone dhe rikthimi i magjisë së “Arrëthyesit”.

“Kemi fatin që këtë vit, që këtu në Teatrin e Operas ta hapim festivalin me trupin e baletit. Në fund të dhjetorit kemi “Arrëthyesin”. U munduam të bëjmë më shumë shfaqje këtë vit nga kërkesat e shumta nga publiku, nga suksesi i madh që kishim nëpër botë, vitin që kaloi”, u shpreh Blloshmi.

Ansambli i Këngëve dhe Valleve Kombëtare, i drejtuar nga Sokol Marsi, sjell shfaqje brenda dhe jashtë vendit, me rivënie të repertorit klasik dhe premiera që pasqyrojnë folklorin shqiptar.

“Kalendari ynë, nga shtatori deri në dhjetor, në përmbyllje të gjithë sezonit është le të themi i larmishëm. Para që do të pasojë është aktiviteti dhe turneu i Ansamblit që do të vijë dhe pak ditë në Italinë e veriut”, tha Marsi.

Hapja e sezonit operistik do të bëhet me një nga kryeveprat e kompozitorit Giuseppe Verdi, “Traviata”  e cila këtë herë vjen nën regjinë dhe kostumografi e mjeshtrit Italian, Hugo De Ana.

“La Traviata” do të ngjitet në skenë për 4 net më radhë nga data 26 shtator deri në 29 shtator.

Gazetare: Katerina Kule

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›