Abdixhiku: Plani 15-pikësh për Qeverinë e Unitetit, prioritet platforma për dialog me Serbinë

PRISHTINË, 12 qershor /ATSH/ Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka prezantuar planin 15-pikësh për Qeverinë e Unitetit.
Në konferencë për media, kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku tha se klasa politike duhet ta pranojë që vendi është në krizë politike, se nuk ka shumicë parlamentare dhe se ka urgjencë. Ai të enjten u shpreh se prioritet i qeverisë së unitetit do të ishte “rindërtimi i partneritet me BE-në dhe ShBA-të dhe rikthimin e politikës së jashtme aktive”.
Abdixhiku tha se do të përgatit një platformë unike e të gjitha partive politike për dialogun me Serbinë.
Kryetari i LDK-së, Adixhiku tha se klasa politike duhet të konstatojë tri të vërteta.
“Duhet si klasë politike të konstatojmë tri të vërteta bazike, ato na ndihmojmë të kuptojmë vet agjendën që do ta prezantojmë sot. E para duhet të pranojmë që jemi në krizë politike. Pra, jemi në krizë politike, në krizë institucionale edhe në krizë legjitimiteti. Në krizë politike sepse s’ka as përpjekjen më të vogël nga askush të ndërtojë një shumicë parlamentare që do të sjelltë institucione legjitime të Kosovës. Dhe në krizë legjitimiteti sepse nuk kemi kuvend funksional e për më tepër nuk kemi as qeveri legjitime. Qeveria e tanishme reflekton rezultatin e para katër viteve, pra reflekton shumicën e para katër viteve e jo shumicën e tanishme politike pas zgjedhjeve të fundit”, deklaroi ai.
Ai tha se pozita e opozita e deritanishme nuk e ka shumicën dhe se vendi ndodhet në urgjencë.
Në konferencë për media, Abdixhiku ka shpalosur agjendën 15-pikëshe për Qeverinë e Unitetit. Ai tha se është urgjente që të zgjedhën personat në vendet vakante të institucioneve kushtetuese dhe atyre me ushtrues detyre.
Po ashtu, Abdixhiku tha se pjesë e angazhimit do të jetë edhe riformatimi i gjitha bordeve të ndërmarrjeve publike. Ndërkaq, pika e dytë është për dakordimin e plotë të rritjes së pagave.
Kreu i LDK-së tha se prioritet i Qeverisë së Unitetit është përgatitja e një platforme unike për dialogun me Serbinë.
Ndër tjera, në planin 15-pikësh të LDK-së për Qeverinë e Unitetit theksohet fillimi i projekteve me rëndësi të veçantë, reforma kushtetuese në funksion të stabiliteti institucionale, fillimi i reformës në arsim, përgatitjet institucionale për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, reforma strategjike e sigurisë dhe mbrojtjes, rishikimi i formulës për buxhetin e komunale, përgatitja për zgjedhje të rregullta dhe të lira demokratike brenda 10 muajve dhe mekanizmi i transparencës dhe llogaridhënies për periudhën kalimtare.
/Kosovapress/