E Martë, 3 Nëntor 2026

“U ula dhe vendosa kokën në duar…”: Rrëfimi i fotoreporterit të huaj për luftën në Kosovë

PRISHTINË, 12 qershor /ATSH/ Trupa të vrarë e të masakruar…

Nëna me fëmijë duke kaluar kufirin, pa ushqim, pa strehë…

Imazhet e mëngjesit të 26 shtatorit të vitit 1998 në fshatin Abri të Poshtme e ndjekin kudo Wade Goddard – dikur fotoreporter i luftës.

Teksa një djalë po shikonte familjarët e vrarë, Wade Goddard u afrua dhe vendosi edhe vet “kokën në duar”. Përmes objektivit të tij, u dokumentuan mizoritë që ndodhën në Kosovë.

Sot, këto fotografi janë dëshmi të gjalla të një historie të përgjakshme.

Ai raportoi për luftën e viteve 1998/99 në New York Times e më pas në Newsweek.

“E para që më vjen në mendje është masakra në Abri të Poshtme. Ishte aq shkatërruese saqë nuk mundesha të bëja atë që duhet, pra të bëja fotografi me fokus. U ula pranë një banori lokal dhe vendosa kokën në duar duke u menduar se kush mund të bënte një gjë të tillë. Duhet të bëja një përpjekje të madhe që të ngrihesha dhe të bëja disa foto sepse e dija sa e rëndësishme ishte të dokumentoja ngjarjet. Normalisht kur punon me një foto, përqendrohesh në imazh, por atëherë isha duke bërë thjesht fotografi të shpejta dhe nuk mundesha të përqendrohesha mirë. Kjo ishte më e vështira. Më dhembte shumë kur shihja nënat me fëmijë që kalonin kufijtë, pa ushqim, pa strehë, pa kujdes”, rrëfen Goddard për KosovaPress.

Në shkurt të vitit 1998, ai erdhi në Kosovë bashkë me gazetarin Chris Hedges.

Kur kujton Kosovën, në mendje ka fëmijët e vrarë dhe imazhet e popullatës së përvuajtur.

“Lufta ishte e gjatë dhe pati shumë ngjarje shokuese. Varrosjet masive të kosovarëve të masakruar mbeten të paharrueshme. Gjetja e fëmijëve të vrarë në pyjet përreth, si në Abri e Poshtme ishte shumë tronditëse. 25 anëtarë të familjes u vranë dhe mund të shihje se ata fshiheshin në pyll rreth fshatit dhe u ndiqnin nga vrasës që i qëllonin derisa përpiqeshin të arratiseshin nën gjethet dhe barin. Ishte vërtet e tronditëse. Kishte fëmijë, madje edhe një foshnjë ishte qëlluar, dhe shumica e fëmijëve ishin nën 11 apo 12 vjeç. Kjo ishte veçanërisht shokuese. Lufta në përgjithësi ishte tronditëse”, thotë ai.

Gjatë bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe, fotoreporteri i luftës thotë se pa me mijëra refugjatë duke u shpërngulur në drejtim të Shqipërisë e Maqedonisë.

Fotoreporteri me prejardhje nga Zelanda e Re u largua nga Kosova në fund të marsit 1999 dhe u zhvendos përtej kufijve, ku më pas dokumentoi edhe shpërnguljet masive.

“Kam shumë imazhe në mendje dhe herë pas here buzëqeshjet apo detajet e tjera më rikthejnë kujtime. Më kujtohet një vajzë që po trajtohej në një klinikë në Shqipërinë veriore, nuk di nëse ishte qëlluar me plumb ose predhë në këmbë, por kishte humbur pjesën më të madhe të muskulit të këmbës. Mund të ishte 6 ose 7 vjeçe dhe kishte rrezik që të humbte këmbën. Më kujtohet kjo. Po ashtu më kujtohet populli që kalonte kufijtë me traktorë dhe rimorkio, duke marrë çdo gjë që mendonin se mund të nevojitej, duke e ditur që nuk do të ktheheshin më në shtëpi. Ishte shumë vështirë për popullsinë civile, ishte një fushatë e vërtetë kundër spastrimit etnik dhe kundër civilëve”, kujton mes tjerash Goddard.

Festën dhe kthimin e shqiptarëve në shtëpitë e tyre, tashmë të rrënuara, ai i dokumentoi përmes fotografive.

“Më kujtohet gëzimi në rrugët e Kosovës, njerëzit që lëviznin lirshëm, duke valëvitur flamuj dhe duke ndezur boritë e makinave. Kam fotografi nga ajo festë”, përfundon ai.

Njëzet e gjashtë vjet më parë, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë, trupat e NATO-s hynë në Kosovë duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare.

Në luftën e viteve 1998/99, u vranë mbi 13 mijë civil shqiptar, u dhunuan seksualisht rreth 20 mijë gra e burra, ndërkaq të pagjetur janë mbi 1600 persona.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›