Abdixhiku i reagon Kurtit: S’i kupton parimet, fjalën e dhënë edhe më pak

PRISHTINË, 27 tetor/ATSH/ Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i ka reaguar kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, të cilit përmes një postimi në rrjete sociale, i thotë se nuk mund ta kuptojë madhështinë e LDK-së.
Abdixhiku ka shkruar në rrjetet sociale se Kurti nuk mund ta kuptojë as dinjitetin në politikë duke shprehur bindjen që Kurti parimet nuk i kupton, e po ashtu siç tha ai, fjalën e dhënë edhe më pak.
Ky reagim i të parit të LDK-së vjen pasi Kurti, gjatë ditës së sotme, në një konferencë për media tha se nuk e kupton aspak këtë parti. Kurti sqaroi se ka synuar ta bëjë qeverinë vetëm me LDK-në dhe Nismën.“Nuk duan qeveri që udhëhiqet nga LVV dhe nga unë, nuk duan të formojnë qeverinë e tyre me parti të tjera opozitare por insistojnë disa zgjedhje të reja ku përsëri do ta përsërisin atë slloganin që ne dalim të parët, po nuk dalin të parët, domethënë është një qik e çuditshme për mua kjo sjellje, ose bëje koalicion si i treti me të parin, ose bëje koalicion me të dytin kundër të parit por diçka duhet të bësh. Një herë e kisha përshtypjen që e kanë me mua personalisht, thjesht s’duan që Albin Kurti të jetë kryeministër dhe kjo është e panegociueshme por tashmë para balotazhit janë edhe kundër edhe liderëve lokalë të LDK-së që po duan të bashkëpunojnë edhe LVV-në”, tha Kurti.
Ndërkaq, Abdixhiku në reagimin e tij u shpreh se Kurti s’e kupton as dinjitetin në politikë, as madhështinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës e as faktin se ka ardhur një gjeneratë e re në vend ku fjala e dhënë ka peshë.
“Dhe s’ka pozitë, s’ka pushtet e s’ka ofertë që mund të shkelë mbi këtë vlerë. Prandaj çuditet! Prandaj s’kupton. Kur pushtetarët e shkëputur nga populli i afrohen fundit, gjërat më nuk u japin sens. LDK-në mund ta sulmoni. Mund edhe ta ofendoni – por vetëm kaq keni mundësi. Nuk ju vjen rendi për më shumë. LDK po ecë drejtë. Në rrugën e vet. Për vete dhe për Republikën që e krijoi vet”, shkroi Abdixhiku.
Kreu i LDK-së shkroi për Kurtin: “Një njeri që për tetë muaj bllokon shtetin duke thënë se i ka votat por s’po e lenë, dhe në fund mashtron; një njeri që për 48 herë e shkel Kushtetutën dhe mburret se çfarë po bën; një njeri që uzurpon institucionet duke qenë herë kryeministër e herë deputet; një njeri që s’i respekton gjykatat e Republikës siç respektohen ato në shtetin ku ai rrit familjen e vet; një njeri që vendoset mbi prokurorinë e i mbron të korruptuarit partiakë veç se janë të tij; një njeri që vetëm ofendon e vetëm përçan kudo që prek; një njeri që akuzon kundërshtarët politikë, shtëpinë e madhe të demokracisë me tradhtarë të Serbisë veç pse mendojnë ndryshe nga ai; një njeri që na ofendon elektoratin me ‘hajvanat’ dhe pret shtrirje qafe më pas; një njeri që na izolon Republikën e vet, e na e humbë të ardhmen e fëmijëve në këtë shtet; një njeri që nuk e kupton bashkëpunimin, unitetin, e afrimin si akt patriotik sot; një njeri që ndryshon pa mërzi secilin premtim publik”.
Dje, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë Kurti 3, mandatari nga Vetëvendosje, nuk mori votat e mjaftueshme për formimin e qeverisë së re, pasi që vetëm 56 vota ishin për, 52 kundër dhe 4 abstenime. /KosovaPress/