Berisha: Dumani, avokat i vjedhjeve më të mëdha në vend

TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalën e tij në Kuvend, akuzoi qeverinë për keqmenaxhim dhe korrupsion, duke theksuar se qytetarët shqiptarë janë dëmtuar rëndë nga vendime të padrejta.
Për një sërë çështjesh që ai i cilësoi si korruptive, Berisha deklaroi se qeveria nuk hetohet, pasi amnistohet nga kreu i SPAK-ut, Altin Dumani.
Ai u ndal te çështja e kompanisë CEZ, duke deklaruar se shqiptarët kanë humbur mbi 630 milionë euro. Po ashtu, Berisha përmendi fondet për inceneratorët, të cilat sipas tij arrijnë në 400 milionë euro, por që në fakt nuk ekzistojnë.
“Të gjitha këto shuma, që arrijnë rreth 1 miliard euro, janë sa dyfishimi i pensioneve dhe rrogave. Nuk i ka vjedhur Altin Dumani, por ai është avokati i disa prej skandaleve më të mëdha në historinë e këtij vendi”, tha Berisha.
Kreu i PD-së akuzoi SPAK-un se nuk heton as shitjet e energjisë, as investimet në infrastrukturë dhe as çështje ndërkombëtare si ARUBA dhe Mc Gonigal.
“Për Dumanin, vite më parë kam thënë se është armik i opozitës. E siguroj se ai do të jetë gjithmonë armiku ynë“, u shpreh Berisha.
Berisha gjithashtu theksoi se treguesit që lidhen me pavarësinë e sistemit të drejtësisë janë përkeqësuar.
“Shifrat tregojnë rënien e Shqipërisë në indeksin e shtetit ligjor sipas World Justice Project, nga vendi i 52 në vitin 2015 në vendin e 89 në 2024. Në zbatimin e ligjit, Shqipëria renditej në vend të 86 në 2015, ndërsa në 2024 renditet në vend të 114. Për të drejtat civile, Shqipëria renditej në vendin e 55 në 2015, kurse në 2024 në vendin e 101. Për ndërhyrjet e qeverisë në drejtësinë penale, Shqipëria renditej në 2015 në vend të 62, ndërsa në 2024 në vend të 106”, tha Berisha. /j.p/