Abuzimi me fondet e SASPAC, GJKKO rrëzon kërkesën e Ilir Beqajt për ndryshim mase sigurie

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit Ilir Beqaj për ndryshim të masës së sigurisë. Beqaj, i cili ndodhet aktualisht në qeli, kishte kërkuar një masë më të lehtë sigurimi, por gjykata vendosi ta mbajë në paraburgim.
Ish-ministri akuzohet për abuzime me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC). Hetimet e SPAK kanë zbuluar se gjatë periudhës kur Beqaj drejtonte këtë agjenci, janë kryer prokurime fiktive në të paktën tetë raste, duke shmangur procedurat e rregullta ligjore.
Beqaj u arrestua më 4 korrik, ndërsa akuzat përfshijnë korrupsion, mashtrim dhe fshehje pasurie. Sipas SPAK, abuzimet janë kryer në bashkëpunim me Ermal Kurtulajn, i cili në atë kohë drejtonte projektin EUSAIR, pjesë e SASPAC gjatë viteve 2022–2023. Edhe Kurtulaj është arrestuar dhe po përballet me drejtësinë.
/rtsh.al/