E Diel, 1 Nëntor 2026

Prodhimet e para sezonale, konsumatorët në Kukës përballen me çmimet e larta

Në tregun e qytetit të Kukësit kanë dalë në shitje prodhimet e para të sezonit, të sjella nga fshatrat përreth, të cilat kanë tërhequr menjëherë vëmendjen e konsumatorëve për cilësinë e tyre.

Megjithatë, pavarësisht interesit, tregtarët shprehen se numri i blerësve mbetet relativisht i ulët.

Sipas shitësve, një ndër arsyet kryesore është niveli i lartë i çmimeve, i cili ka ndikuar drejtpërdrejt në fuqinë blerëse të qytetarëve.

“Prodhimet e para vendore për këtë periudhë janë: qepa e njomë, hudhra dhe kastraveci. Por çmimet sot janë shumë të shtrenjta. Për momentin, kilogrami kastravec është 200 lekë, domatja 300 lekë, ndërsa qepa e njomë 150 lekë. Kërkesa është shumë e vogël sepse çmimet janë të larta,” shprehen tregtarët.

Edhe vetë konsumatorët theksojnë se përballen me vështirësi ekonomike, duke e bërë më të kufizuar blerjen e produkteve të freskëta, veçanërisht të frutave dhe perimeve. Ndërkohë, produktet më të kërkuara në treg mbeten ato bazë si domatet, sallata, spinaqi dhe perime të tjera sezonale.

“Çmimet janë të rritura, por kështu i kanë rregulluar të gjithë,” thonë disa prej blerësve.

Tregtarët bëjnë të ditur se produktet e para të këtij sezoni kanë ardhur kryesisht nga zonat rurale si Pobregu dhe Bushati, duke shënuar fillimin e një sezoni të ri bujqësor, i cili pritet të ndikojë në vijim edhe në stabilizimin e çmimeve dhe rritjen e ofertës në treg.

Gazetare: Shkurte Elezaj

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›