Administrata, antikorrupsioni dhe BE, caktohen përgjegjësitë e dy ministrave të Shtetit

TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Këshilli i Ministrave përcaktoi sot fushën e përgjegjësisë shtetërore të Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.
Duke qenë përgjegjës për administratën publike dhe për luftën kundër korrupsionit, Ministri i Shtetit drejton dhe bashkërendon punën për propozimin e akteve dhe politikave për
zbatimin e reformës tërësore në administratën publike.
Konkretisht në tagrin e kësaj përgjegjësie përfshihet menaxhimi i burimeve njerëzore në administratën publike dhe sistemin e pagave; zhvillimi dhe koordinimi i politikave dhe promovimi i inovacionit në administratën publike, si dhe çdo ndërhyrje tjetër në zbatim të reformës në administratën publike.
Po ashtu, Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin drejton dhe bashkërendon punën për hartimin e politikave dhe përgatitjen e akteve ligjore e nënligjore për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit.
Ai ka rolin e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit, si dhe ushtron çdo përgjegjësi tjetër shtetërore që i ngarkohet me ligj, me akte të Këshillit të Ministrave dhe nga Kryeministri.
Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin është përgjegjës për përmbushjen e parimeve të qeverisjes së mirë dhe bashkëdrejtues i Komitetit Shumëpalësh të Partneritetit për Qeverisje të Hapur.
Në mbledhjen e sotme u përcaktua po ashtu edhe misioni dhe fusha e përgjegjësisë shtetërore e Ministrit të Shtetit dhe Kryenegociatorit.
Misioni i ministrit të Shtetit dhe Kryenegociatorit është drejtimi teknik i negociatave dhe bashkërendimi i brendshëm i procesit të përgatitjeve të anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Kjo, nëpërmjet zhvillimit të procesit teknik të negociimit, plotësimit nga ministritë e linjës dhe institucionet e tjera të kushteve dhe kritereve për mbylljen e negociatave dhe anëtarësimit.
Po ashtu pjesë e misionit të Kryenegociatorit janë nismat për integrimin e përshpejtuar; bashkërendimi i përafrimit të legjislacionit vendas me atë të Bashkimit Evropian; bashkërendimi i prioriteteve; si dhe hartimi dhe propozimi i politikave në kuadër të procesit të anëtarësimit.
Po ashtu, Kryenegociatori bashkërendon kuadrin strategjik të lidhur me anëtarësimin në drejtim të zhvillimit të kapaciteteve, rritjes së performancës për arritjen e rezultateve, si dhe informimit të publikut për këto procese.
Pjesë e përgjegjësisë së Kryenegociatorit është edhe bashkërendimi i konsultimeve me biznesin dhe grupet e interesit në çështjet për integrimin evropian.
/m.m/r.e/a.f/