E Diel, 1 Nëntor 2026

Administrimi i pallateve në Durrës – Bashkia u bën thirrje banorëve të krijojnë asambletë e godinave

Bashkia e Durrësit ka njoftuar banorët e pallateve që të nisin procedurat për krijimin e asambleve dhe kryesive të godinave për administrimin e tyre.  Ky është një hap i parashikuar nga ligji për administrimin e bashkëpronësisë, që synon të rregullojë mënyrën e menaxhimit të hapësirave të përbashkëta në pallate. Sipas autoriteteve vendore, njoftimet janë afishuar në shumë godina, por deri tani interesi i qytetarëve për t’u përfshirë në këtë proces mbetet i ulët.

“Momentalisht interesi vazhdon të jetë i pakët për këtë arsye kërkojmë bashkëpunim më të madh më të gjithë banorët që të ndërgjegjësohen se ky ligj është në interes të tyre dhe të fillojnë të krijojnë asambletë sepse vetëm kështu mund ti hapet rrugë të gjitha procedurave që ligji përcakton më pas”, u shpreh Daniela Murataj, përgjegjëse në sektorin e bashkëpronësisë, Bashkia Durrës.

Në shumë nga pallatet e ndërtuara vitet e fundit, administrimi i godinave realizohet përmes administratorëve që kujdesen për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e hapësirave të përbashkëta. Megjithatë, një nga problemet më të shpeshta mbetet mosbashkëpunimi i një pjese të banorëve për pagesën e tarifës mujore të administrimit. Për këtë pjesë, Murataj thotë se ligji përcakton penalizimin me gjoba që variojnë nga 5-10 mijë lekë të reja.

“Mos pagesat e detyrimeve mujore të tarifës së administrimit pengesa e administratorit për të ushtruar funksio0nin e tij mund të penalizohen me gjoba administrative”, tha ajo.

Ligji për administrimin e godinave të përbashkëta synon të rregullojë bashkëjetesën në pallate dhe mënyrën e menaxhimit të tyre. Administratorët mund të jenë agjenci të licencuara administrimi ose persona fizikë të regjistruar me NIPT.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›