Aeroportet evropiane në krizë karburanti nëse Hormuzi nuk hapet brenda tre javësh

Aeroportet evropiane rrezikojnë një mungesë “sistematike” të karburantit për avionë nëse Ngushtica e Hormuzit nuk rihapet plotësisht brenda tre javësh, ka paralajmëruar industria, sipas Financial Times.
ACI Europe, e cila përfaqëson aeroportet e BE-së, tha se rezervat e karburantit për avionë po pakësohen, ndërsa “ndikimi i aktiviteteve ushtarake mbi kërkesën” po i shtrëngon më tej furnizimet.
Në një letër të parë nga “Financial Times“, shoqata paralajmëroi Komisionerin Evropian të Transportit, Apostolos Tzitzikostas, për “shqetësimet në rritje të sektorit të aeroporteve në lidhje me disponueshmërinë e karburantit për avionë, si dhe nevojën për monitorim dhe veprime proaktive nga BE-ja”.
“Nëse kalimi nëpër Ngushticën e Hormuzit nuk rifillon në mënyrë të konsiderueshme dhe të qëndrueshme brenda tre javëve të ardhshme, një mungesë sistemike e karburantit për avionë do të bëhet realitet për BE-në“, thuhet në letër.
Roja bregdetare e Iranit ka paralajmëruar se çdo anije që përpiqet të lundrojë pa leje do të “shënjestrohet dhe shkatërrohet”. Kjo erdhi për shkak të sulmeve izraelite mbi Liban, vend i cili, sipas Teheranit, ishte pjesë e armëpushimit me SHBA-të.