E Diel, 1 Nëntor 2026

“After Care 2026”, nisma e AIDA për adresimin e problematikave me investitorët e huaj

TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) ka hapur zyrtarisht fushatën “After Care 2026”, një nismë që synon forcimin e komunikimit me investitorët e huaj që operojnë në Shqipëri dhe përmirësimin e klimës së biznesit në vend.

Sipas AIDA-s, kjo fazë e parë e programit ka rëndësi të veçantë, pasi synon krijimin e një kanali të drejtpërdrejtë komunikimi me bizneset ndërkombëtare, duke rritur transparencën dhe duke lehtësuar adresimin e problematikave që hasin investitorët në aktivitetin e tyre.

Në kuadër të kësaj nisme, investitorë nga vende si Gjermania, Zvicra, Holanda dhe të tjera do të përfshihen në takime të dedikuara, ku do të kenë mundësi të paraqesin shqetësimet, vështirësitë dhe pengesat që hasin gjatë ushtrimit të aktivitetit në Shqipëri.

Qëllimi është identifikimi i zgjidhjeve konkrete dhe përmirësimi i mëtejshëm i klimës së investimeve.

Programi “After Care 2026” parashikon gjithashtu zgjerimin e takimeve sektoriale dhe gjithëpërfshirëse me investitorë nga vende të tjera, me synim forcimin e dialogut dhe shtrirjen më të gjerë të mekanizmit të mbështetjes ndaj biznesit të huaj.

Një komponent i rëndësishëm i nismës është bashkëpunimi institucional, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor.
Në këtë kuadër, AIDA ka nënshkruar 12 memorandume mirëkuptimi me bashki të ndryshme në vend, me qëllim rritjen e bashkëveprimit dhe mbështetjes ndaj investitorëve në nivel lokal, veçanërisht në çështje që lidhen me infrastrukturën, shërbimet publike dhe procedurat administrative.

Programi përfshin edhe krijimin e një platforme online të dedikuar për investitorët, e cila do të shërbejë si pikë kontakti për raportimin e problematikave dhe ndjekjen e tyre në kohë reale nga institucionet përgjegjëse.

Sipas AIDA-s, qëllimi përfundimtar i “After Care 2026” është forcimi i marrëdhënieve afatgjata me investitorët ekzistues, përmirësimi i klimës së biznesit dhe rritja e besimit për nxitjen e zgjerimit të investimeve të huaja në Shqipëri.

/r.e//a.g/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›