E Diel, 1 Nëntor 2026

Karakaçi: Projektligji i ri i energjisë elektrike përafron Shqipërinë me standardet e BE-së

TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi bëri të ditur sot se qeveria ka miratuar projektligjin e ri për rregullimin e sektorit të energjisë elektrike, i cili synon modernizimin e tregut energjetik dhe përafrimin e plotë me kuadrin ligjor të Bashkimit Europian.

Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë Karakaçi tha se “reformat energjetike ndodhin një herë në 10 vjet apo 15 vjet. Ligji i mëparshëm i vitit 2015 bëri transformimin e sektorit energjetik në Shqipëri, por dhe iu përgjigj të gjitha sfidave të kohës”.

Ministri Karakaçi theksoi se “kishte ardhur momenti për të bërë një projektligj të ri që rregullon dhe implementon gjithë kuadrin ligjor të Bashkimit Europian, por jo vetëm”.

Sipas tij, ky projektligji i ri i miratuar sot në qeveri dhe që miratohet në parlament shumë shpejt ka disa elemente shumë të rëndësishëm.

“Së pari, për sa i përket rregullimit të sektorit të energjisë elektrike, e fut Shqipërinë në një koncept komplet të ri, duke futur dhe duke parashikuar dhe përkufizime dhe elemente të tjerë që nuk ishin në ligjin e mëparshëm, siç është depozitimi apo format e reja agregimi për vetëkonsumatorët që kanë shumë interes për gjithë qytetarët dhe për bizneset, por edhe gjithë rregullimin e sektorit energjetik duke e futur në fazën e re, aty ku ndodhet Shqipëria. Sot nuk kemi më vetëm burime energjie hidrike dhe jemi në faza të mungesës së sigurisë së furnizimit me energji elektrike. Sot ne jemi në një fazë komplet tjetër ku energjia fotovoltaike ka kaluar mbi 10% të prodhimit të brendshëm të energjisë elektrike”, nënvizoi Karakaçi.

Sipas tij, energjia e rinovueshme ka marrë një hov të ri ose me anë të ankandeve, ose me anë të ndërtimeve dhe zhvillimeve në tregun e lirë.

“Ky rregullim i këtij ligji të ri të sektorit të energjisë elektrike vjen si një moment shumë domethënës për etapën ku ndodhet sot Shqipëria. Projektligji ka kaluar në të gjitha fazat e konsultimit me grupet e interesit. Kemi bërë mbi dy-tri tryeza me grupet e interesit ku janë marrë në konsideratë të gjitha komentet e tyre”, shtoi ministri.

Elementi i dytë, vijoi Karakaçi, që po ashtu është shumë i rëndësishëm për këtë projektligj të sektorit të energjisë elektrike, është komponenti i integrimit europian.

“Projektligji i sektorit të energjisë elektrike ishte detyrim i Shqipërisë në kuadër të integrimit europian, por jo vetëm, ishte dhe detyrim në kuadër të Growth Plan apo planit të rritjes, ku me miratimin e tij Shqipëria do marrë dhe ndihmë financiare nga Bashkimi Europian”, tha Karakaçi.

Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, foto: Andrin Hoxha 1 nga 2

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›