Karakaçi: Kemi vendosur penalitetet e para për vonesat në Aeroportin e Vlorës

TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi deklaroi sot se janë lëshuar faturat e para të penaliteteve për vonesat e konstatuara në ndërtimin e aeroportit të Vlorës, ndërsa garantoi se projekti do të përfundojë dhe aeroporti do të jetë funksional.
Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve se në çfarë faze janë punimet në Aeroportin e Vlorës, Karakaçi tha se nuk mund ta deklaronte fiks se sa është përqindja e punimeve.
Por, shtoi ai, aeroporti ka ecur mirë për sa i përket avancimit të punimeve civile.
“Patjetër që ne do marrim të gjitha masat e nevojshme që aeroport të përfundojë dhe të jetë operativ sa më shpejt”, deklaroi ministri.
“Përfundimi i tij patjetër do bëhet në mënyrën sa më të shpejtë të mundshme sipas afateve që vetë kompanitë kanë kërkuar për t’i vënë. Ndërkohë po ashtu element i rëndësishëm që dua ta theksoj është fakti që për çdo ditë vonesë dhe për çdo muaj vonesë ka penalitete. Ne tashmë kemi lëshuar faturat e para të penalitetit për vonesat përkatëse”, nënvizoi Karakaçi.
Ministri Karakaçi theksoi se “është bërë mediatikisht e njohur kudo që ka një mosmarrëveshje tregtare civile ndërmjet dy ortakëve”.
“Duhet të theksojmë faktin që këta ortakë kanë ardhur vetë me anë të një marrëveshje bashkimi shoqërish dhe kanë ofertuar për të ndërtuar aeroportin e Vlorës”, detajoi ai.
“Ka një mosmarrëveshje tregtare ndërmjet tyre, e cila patjetër është bërë dhe publike dhe mediatike dhe ka dhënë edhe një lloj impakti për sa i përket optikës dhe imazhit të këtij aeroporti. Doja të theksoja disa gjëra. E para njëherë ministria gjatë gjithë kohës ka qenë shumë e kujdesshme në të gjitha komunikimet me operatorët. Pse? Normalisht ne duam që të zbatojmë kontratën koncesionare. Megjithatë i kam dërguar një shkresë të fundit ku i kam kërkuar në mënyrë absolute që mosmarrëveshjet tregtare civile që ato kanë me njëri-tjetrin nuk duhet të jenë shkak për bllokimin apo mosoperimin e aeroportit të Vlorës”, tha Karakaçi.
Gjithashtu, ministri Karakaçi bëri të ditur se “kemi vendosur po ashtu një afat 30-ditor që të zgjidhin këtë mosmarrëveshje civile që e kanë me njëri-tjetrin dhe duke u angazhuar edhe unë si ministër dhe si ministri që nëse e kanë të nevojshme dhe të ulemi dhe t’i ndihmojmë për të gjetur një gjuhë të përbashkët”.
/k.s/j.p/r.e/