“Agresion toksik në Elbasan”, Berisha: SPAK nuk heton krimin mjedisor, “Bankers” deri në 2013 ishte në rregull

Nga Gjykata e Posaçme, që e ka detyruar të paraqitet dy herë në muaj, ish- kryeministri Sali Berisha sulmoi institucionet për mospërfshirje në hetimin e zjarrit që ai e quan katastrofë mjedisore në Landfillin e Elbasanit.
“Për 6 ditë me radhë, qytetarët e Elbasanit pësuan agresionin toksik më të madh në historinë e atij qyteti. Ky krim i rëndë mjedisor, sikundër krimi ciklik mjedisor në Vlorë, nuk ekziston për Altin Troplinin, edhe pse ligji, krimet mjedisore ia kërkon këtij institucioni pasi i ka konsideruar krime të rënda. Fusha e plehrave të Vlorës digjet çdo tre muaj dhe qytetarët thithin lëndë të dëmshme”, tha Berisha.
Nga ana tjetër Berisha për çështjen “Bankers”, për të cilën u lëshuan 14 urdhërarreste, tha se gjatë kohës kur ai ishte kryeministër, kompania i ka shlyer të gjitha detyrimet.
“Po të garantoj që edhe më shumë, gjer në 200-250 milionë në vit gjatë kohës që kemi qenë ne në pushtet. Jo vetëm kaq, por ka paguar me detyrim taksën e karbonit që e shtuam, ka paguar, e them këtu, në vlerësimin tim, në mënyrë të padrejtë, ka paguar taksën e holluesit, të cilin e paguante dy herë. Njëherë kur injektohej dhe pastaj kur nxirrej, dhe me sigurime shoqërore. Ajo ka paguar pagesën koncesionare që shkon në qindra milionë euro naftë për Albetrolin. Se çfarë ka bërë pas largimit tonë, nuk di unë. Por ata që duan të barazojnë, ata kanë interesa nga më të pistat në këtë aferë dhe ndaj sillen në këtë mënyrë. Gjatë periudhës tonë ajo ka paguar qindarkë për qindarkë”, tha kreu i PD-së.
Seanca për “Dosjen Partizani” për të cilën Berisha akuzohet se ka kryer korrupsion pasiv do te mbahet në datën 21 korrik. Jamarbër Malltezi, i bashkëpandehur në këtë çështje akuzohet edhe për pastrim parash, si pasojë e privatizmit të trojeve të ish- kompleksit sportiv Partizani./vizionplus.tv