Ahmeti: 3500 vetëprodhues të energjisë nga fotovoltaikët, platforma e ankesave online brenda vitit 2026

TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka përmbushur një sërë rekomandimesh të Kuvendit për vitin 2025, ndërsa brenda vitit 2026 pritet të vihet në funksion platforma digjitale për trajtimin online të ankesave të konsumatorëve. Këtë e bëri të ditur sot kryetari i ERE-s, Petrit Ahmeti, gjatë raportimit në Komisionin e Kuvendit.
Ahmeti theksoi se ERE ka miratuar një plan masash për zbatimin më efikas të rekomandimeve të Kuvendit, me fokus mbrojtjen e konsumatorëve, transparencën, sigurinë kibernetike dhe nxitjen e investimeve në energjinë e rinovueshme.
“ERE ka përfunduar termat e referencës për platformën digjitale të ankesave dhe ajo ndodhet në proces prokurimi. Konsumatorët do të kenë mundësi të raportojnë online shqetësimet e tyre dhe të ndjekin në kohë reale trajtimin e ankesës. Platforma pritet të jetë funksionale brenda vitit 2026”, tha Ahmeti.
Duke folur për nxitjen e vetëprodhimit të energjisë nga burimet fotovoltaike, Ahmeti u shpreh se ERE ka zhvilluar fushata informuese dhe programe ndërgjegjësuese për investimet në impiante diellore.
“Janë lidhur 1139 vetëprodhues të rinj, me një rritje prej 27%, ndërsa numri total i vetëprodhuesve në vend ka arritur në rreth 3500”, deklaroi ai.
Sipas Ahmetit, ERE ka vijuar bashkëpunimin me institucionet përgjegjëse për forcimin e sigurisë kibernetike në sektorin energjetik, duke monitoruar zbatimin e masave mbrojtëse dhe duke kërkuar të dhëna nga operatorët për nivelin e sigurisë së sistemeve.
Ai bëri të ditur gjithashtu se ERE ka rritur transparencën përmes publikimit të të gjitha vendimeve të Bordit dhe po punon për krijimin e një platforme për krahasimin e çmimeve të furnizuesve të energjisë, e cila do t’u mundësojë konsumatorëve të zgjedhin ofertën më të favorshme.
Në lidhje me investimet në rrjet, Ahmeti tha se OSHEE ka paraqitur planin e investimeve në shkallë vendi, të fokusuar në ndërtimin dhe rikonstruksionin e nënstacioneve në qytetet kryesore, ndërsa OST ka planifikuar projekte të rëndësishme për periudhën 2026-2027, përfshirë edhe zonat turistike.
Kryetari i ERE-s shtoi se institucioni po punon edhe për rritjen e eficiencës së energjisë në familje dhe biznese, duke krijuar një seksion informues për publikun dhe duke zbatuar Strategjinë për Eficiencën e Energjisë 2025-2030.
Ai nënvizoi gjithashtu se është krijuar regjistri elektronik energjetik për certifikatat e origjinës dhe janë miratuar procedurat për subjektet vetëprodhuese, ndërsa ERE vijon monitorimin e tregut të energjisë dhe të bursës ALPEX.
Ahmeti tha se “Enti Rregullator i Energjisë (ERE) do të miratojë brenda këtij viti çmimin e energjisë elektrike për vetëprodhuesit”.
Ai bëri të ditur se përcaktimi i çmimit vjen pas miratimit të skemës së re për vetëprodhuesit e energjisë nga burimet e rinovueshme, e cila kalon nga modeli i “matjes neto” në atë të “faturimit neto”.
/e.xh/j.p/r.e/