Pirdeni: Pagat në administratën publike u rritën nga 35-65%, për herë të parë indeksim i inflacionit

TIRANË, 9 korrik/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni në konferencën e sotme për shtyp u ndal edhe tek rritja e pagave në administratën publike.
Në fjalën e saj Pirdeni theksoi se “prej vitit 2023 Shqipëria ka nisur një proces të reformimit tërësor të pagave me një rezultat të pritshëm në fakt që nga viti i shkuar me rritje nga 35 deri në 65 për qind të pagave, një rritje e cila preku jo vetëm të gjithë trupën e administratës publike në nivel qendror, por dhe administratën publike në nivel vendor, duke njësuar nivelet e pagave sipas niveleve të pozicioneve”.
“Gjithashtu për herë të parë këtë vit me buxhetin e vitit 2026 ne kemi indeksuar pagat në përputhje dhe me ritmin e inflacionit në masën 2,6% për të garantuar që dhe sistemi i rritjes i pagave i përshtatet një trendi i cili përputhet dhe me standardin real të jetesës së familjeve shqiptare”, tha Pirdeni.
Natyrisht, vijoi Pirdeni, që reforma e pagave ka qenë shpeshherë kali i betejës përgjatë procesit tonë të forcimit të kapaciteteve, është vlerësuar maksimalisht nga Sigma si strukturë e përbashkët midis OECD-së dhe Bashkimit Europian që monitoron në mënyrë periodike avancimin e Shqipërisë në fushën e administratës publike”.
Por, shtoi Pirdeni, “gjithashtu kemi qenë besoj dhe një nga vendet që ka ndërmarrë nismën më të rëndësishme të rishikimit tërësor të sistemit të pagave jo nga vetëm nga pikëpamja e rritjes në vlerë absolute të pagës, por dhe të krijimit e një sistemi uniformë, një sistemi të përshkallëzuar që i jep gjithashtu prioritet atyre pozicioneve pune që të cilat janë gjithashtu prioritet strategjik i zhvillimit të vendit”.
Ministrja Pirdeni e vuri theksin edhe trajtimi i diferencuar të punonjësve në fushën e teknologjisë së informacionit.
Më tej ministrja tha se “në këtë fazë të saj administrata publike ka qasje që përqafon mbi të gjitha modernizimin dhe përqafon në çdo hap të saj transformimin digjital”.
“Natyrisht janë disa politika të pagave, të cilat qëndrojnë në themel të këtij sistemi rishikimi që i qëndrojnë nga njëra anë parimit të barazisë, të garantimit të standardit për punë të njëjtë, pagë të njëjtë, por gjithashtu duke marrë parasysh dhe faktin që dinamikat e tregut na diktojnë dhe disa diferencime të niveleve të pagave duke pasur parasysh faktin që sot sfidat me të cilat ne përballemi janë të mëdha”, tha Pirdeni.
/k.s/j.p/r.e/