Lëvizja “Shqipëria Bëhet” shënon 2-vjetorin, Lapaj nxjerr në pah arritjet dhe sfidat

Lëvizja politike “Shqipëria Bëhet”, e drejtuar nga Adriatik Lapaj, festoi sot 2-vjetorin e themelimit të saj me një ceremoni ku u bë një bilanc i rrugëtimit të kësaj force të re politike.
Lapaj, në fjalën e tij, theksoi se lëvizja ka pasur një rrugëtim me sfida të shumta, duke e nisur si një iniciativë e vogël, por duke u zgjeruar ndjeshëm.
“2 vite më parë, nga Mirdita e vlerave, nisëm një rrugëtim idealesh, me aspiratën e vetme, ndërtimin e një force politike që Shqipërinë e ka mbi partinë. Ishim vetëm 25 djem dhe vajza ëndërrimtarë,” deklaroi Lapaj.
Në fjalën e tij, Lapaj renditi arritjet e lëvizjes brenda 18 muajve nga themelimi deri në zgjedhjet e para. Sipas tij, Lëvizja u zgjerua nga 25 themelues në mbi 64 mijë vota të vlefshme në zgjedhjet e para (nga një total prej mbi 80 mijë votash, përfshirë ato të pavlefshme).
“U organizuan 37 takime me shqiptarët në diasporë dhe 93 takime brenda Shqipërisë, në fshatra e qytete. U mblodhën 21 mijë firma nga qytetarët për votimin e ligjit për votën e diasporës, i cili më pas u miratua. Lëvizja gjithashtu luftoi deri në Gjykatën Kushtetuese për hapjen e sistemit zgjedhor.”, tha ai.
Lapaj i quajti themeluesit “25 ëndërrimtarë të pandreqshëm që i hynë “detit në këmbë”,” duke shprehur krenarinë për rritjen e lëvizjes.
/rtsh.al/