E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksi Elbasan-Papër, rritet fondi i shpronësimeve në mbi 50 milionë lekë

TIRANË, 25 shtator /ATSH/ Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme, vendosi ndryshimin e fondit për shpronësimet e pronarëve të pasurive të paluajtshme private që preken nga realizimi i projektit për aksin rrugor Elbasan-Lekaj, pjesë e Korridorit 8, loti I, në segmentin Elbasan-Papër.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, vlera e fondit të shpronësimit është rritur nga 46 241 507.4 lekë në 50 391 918 lekë.

Ndryshimi i vendimit nr. 221, datë 1 prill 2026, parashikon edhe shtimin e 21 numrave rendorë në tabelën e pasurive dhe pronarëve të prekur nga projekti, nga numri 116 deri në 136.

Në përfundim të tabelës, vlera totale e shpronësimit përcaktohet në 50 391 918 lekë.

Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Elbasan dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin.

Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren zyrtare.

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›