E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria përfshin Fondin Shqiptar të Zhvillimit në projektet e reja të rindërtimit në Kombinat

TIRANË, 25 shtator /ATSH/ Fondi Shqiptar i Zhvillimit është caktuar njësi zbatuese për projektet e reja në kuadër të procesit të rindërtimit në zonën e Kombinatit, në njësinë administrative 6 të bashkisë Tiranë.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, ndryshimi prek vendimin nr. 80, datë 31 janar 2020, për shpalljen e zonës së re për zhvillim në Kombinat dhe përcaktimin e njësisë zbatuese.

Me ndryshimin e miratuar, Bashkia Tiranë vijon të jetë njësi zbatuese për projektet e nisura dhe ato në vijim në kuadër të procesit të rindërtimit, ndërsa Fondi Shqiptar i Zhvillimit merr përgjegjësinë për zbatimin e projekteve të reja.

Këto projekte përfshijnë ndërtimin e banesave të reja ose të ndërtesave publike të dëmtuara, ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike dhe kritike, realizimin e ndërtimeve në zonë, si dhe ndërhyrje të tjera në funksion të rindërtimit.

Në këtë mënyrë, titulli i vendimit të vitit 2020 ndryshon, duke përcaktuar Bashkinë Tiranë dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese për zonën e re për zhvillim në Kombinat.

Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›