Aksident në aksin Lezhë-Shkodër, përplasen dy automjete te kryqëzimi i Gjadrit, përfundojnë në spital shoferi dhe pasagjerja

Një aksident rrugor me pasojë plagosjen e dy personave është regjistruar pasditen e sotme në aksin nacional Lezhë–Shkodër.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00, në vendin e njohur si kryqëzimi i Gjadrit. Në këtë segment janë përfshirë në përplasje dy automjete, njëri me drejtues shtetasin F. Z. dhe tjetri me drejtues shtetasin E. S.
Si pasojë e goditjes së fortë, ka mbetur i lënduar drejtuesi i mjetit F. Z., si dhe pasagjerja që udhëtonte me të, shtetasja M. D. Të dy të lënduarit janë transportuar me urgjencë drejt spitalit rajonal për të marrë ndihmë mjekësore, ku raportohet se ndodhen nën kujdesin e bluzave të bardha.
Grupi hetimor ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të dinamikës së aksidentit dhe shkaqeve që çuan në përplasjen e dy mjeteve.
/rtsh.al/