Aksident tragjik në Kretë, humb jetën oficeri 33-vjeçar i Forcave Ajrore Greke

Një oficer 33-vjeçar i Forcave Ajrore Greke ka humbur jetën në një aksident të rëndë rrugor, i ndodhur mëngjesin e kësaj të hëne (6 korrik), në Hania të ishullit të Kretës.
Sipas mediave greke, aksidenti ndodhi rreth orës 06:45 në zonën e Pitharit, kur motoçikleta që drejtohej nga oficeri, për arsye që ende nuk janë sqaruar, u përplas me një kamion të grumbullimit të mbeturinave. 33-vjeçari u transportua me urgjencë në Spitalin e Përgjithshëm të Hanias, por nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.
Në një njoftim zyrtar, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave Ajrore Greke bëri të ditur se viktima ishte Togeri i Dytë (MT) I. M., i cili shërbente në Krahun e 115-të të Luftimit.
“Forcat Ajrore shprehin keqardhjen e thellë për humbjen e kolegut tonë dhe u shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve të tij”, thuhet në deklaratë. Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit fatal.
/rtsh.al/