Hoxhalli: Digjitalizimi i arkivës së RTSH-së, detyrim për ruajtjen e memories audiovizive

Kreu i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Fatjon Hoxhalli, ka ngritur shqetësimin për gjendjen e arkivës audiovizive dhe domosdoshmërinë e digjitalizimit të saj, gjatë një deklarimi publik.
Ai e cilësoi digjitalizimin e arkivës si një detyrim themelor publik për ruajtjen e memories audiovizive kombëtare, duke paralajmëruar se çdo vonesë rrit rrezikun e degradimit të materialeve analoge.
Sipas Hoxhallit, RTSH ka kërkuar një fond prej rreth 200 milionë lekësh për vitin 2026, por ky financim nuk është reflektuar në alokimet buxhetore.
“Po punojmë me të gjitha mundësitë e burimeve alternative të financimit për të kryer një vlerësim paraprak të nevojave teknologjike dhe financiare për digjitalizimin e plotë të materialeve,” u shpreh ai.
Hoxhalli shtoi se synimi është që, në kuadër të rezolutës së re, materialet arkivore të vihen në dispozicion të studiuesve dhe publikut vetëm pasi të jenë digjitalizuar plotësisht.
Ai bëri të ditur gjithashtu se është nisur një projekt për publikimin e një pjese të arkivës në një kanal të posaçëm në YouTube, me qëllim rritjen e aksesit publik në përmbajtjet historike të RTSH-së.
/rtsh.al/