Drejtoresha e RTSH-së në Kuvend: Raporti i EBU-së evidenton nevojën për transformim të thellë të medias publike. I gjithë modeli financiar duhet të rishikohet

Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), Eni Vasili, raportoi sot në Komisionin Parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, në kuadër të shqyrtimit të projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Radiotelevizionit Shqiptar për vitin 2025”, e cila u miratua me ndryshime.
Gjatë raportimit, Vasili paraqiti një përmbledhje të raportit të hartuar nga Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU), duke ndalur te vlerësimet dhe rekomandimet kryesore për funksionimin e RTSH-së. Drejtoresha theksoi dhe rekomandimin e EBU se ka ardhur koha qe i gjithë modeli financiar të rishikohet.
Ajo theksoi se gjatë gjithë procesit është synuar transparencë maksimale, duke bërë të ditur se raporti i plotë i diagnozës është publikuar në faqen zyrtare të RTSH-së dhe u është shpërndarë institucioneve përkatëse.
“Vlerësimi i EBU-s, raporti i plotë i diagnozës është në faqen e web-it të RTSH-së, iu është dërguar institucioneve, kjo për t’i dhënë një shije transparence këtij procesi dhe interesimit të madh që kemi ne si institucion për të qenë sa më transparentë në këtë bashkëpunim me EBU-në.
Qëndrimi i këtij vlerësimi ishte analizimi i gatishmërisë së RTSH-së për transformim dhe modernizim, si dhe identifikimi i reformave prioritare të nevojshme për të garantuar qëndrueshmërinë afatgjatë të medias publike shqiptare. Raporti i EBU-së vlerëson RTSH-në si institucioni kryesor i shërbimit publik mediatik në vend. RTSH përballet me sfida të konsiderueshme strukturore, operacionale, financiare të akumuluara ndër vite, si pasojë e mungesës së investimeve afatgjata, fragmentimit të strukturave oganizative, zhvillimit të pakontrolluar të portofolit të shërbimeve dhe kufizimeve të vazhdueshme financiare.
Sipas vlerësimit të EBU, sfida kryesore nuk lidhet me mungesës e ambicies për modernizim, por me nevojën për të ndërtuar një model të ri funksionimi i cili të harmonizojë strategjinë institucionale, strukturën organizative, burimet financiare, teknologjinë, zhvillimin e audiencës dhe prioritetet editoriale. Raporti arrin në përfundimin se ambicia profesionale e RTSH-së ka tejkaluar kapacitetet aktuale operacionale dhe se modeli ekzistues i organizimit nuk është më i përshtatshëm për sfidat e medias publike në epokën dixhitale”, deklaroi Vasili.
Ajo tha më tej se një nga konkluzionet kryesore të raportit është se RTSH-ja administron një numër të lartë kanalesh televizive, radiofonike, platformash shpërndarjeje, i cili tejkalon kapacitetet aktuale financiare, teknike dhe njerëzore të institucionet.
“Sipas EBU-së, racionalizimi dhe konsolidimi i portofolit të shërbimeve përbën kush të domosdoshëm për rritjen e cilësisë së përmbajtjes, përmirësimin e eficencës organizative dhe garantimin e qëndrueshmërisë afatgjate të medias publike. Raporti evidenton gjithashtu se qëndrueshmëria financiare e RTSH-së mbetet e kufizuar nga pesha e lartë e kostove fikse, financimi publik i pamjaftueshëm për nevojat e transformimit, të ardhurat e kufizuara tregtare dhe nevojat e konsiderueshme për investime teknologjike. Në këtë kuadër rekomandohet një lidhje më e drejtpërdrejt ndërmjet planifikimit strategjik, prioriteteve programore dhe shpërndarjes së burimeve financiare“, tha drejtoresha e RTSH-së.
Vasili nënvizoi se në aspektin editorial dhe të zhvillimit të audiencës, EBU vlerëson se RTSH gëzon ende besueshmëri dhe rol të rëndësishëm publik, por thekson nevojën e për forcimin e pranisë dixhitale, rritjen e përmbajtjes së orientuar drejt të rinjve, diasporës, si dhe përdorimin më të madh të të dhënave mbi audiencën në proceset e vendimmarrjes.
“EBU konstaton se disponon potencial të rëndësishëm institucional, profesional dhe njerëzor për t’u transformuar në një media publike moderne, konkurruese dhe të qëndrueshme. Por ky transformim kërkon reforma të koordinuara në qeverisje. EBU ka propozuar dhe një plan te detajuar veprimi për transformim të plotë. Ofron mbështetje të mëtejshme për zbatimin e reformës sipas standardeve europiane. Kemi garanci nga EBU se do të na asistojnë në çdo proces deri në përmbyllje të reformës.
Ajo që doja të nënvizoja është kjo reformë do të ketë një kosto financiare në fund që ne do ta ndajmë me publikun dhe qeverinë. Duhet të jemi të vetëdijshëm që kjo reformë duhet të financohet. Sipas EBU-së është i rëndësishëm ristrukturimi i tarifës, i mënyrës se si paguhet sot tarifa. Të merret parasysh inflacioni. Kemi më shumë se një dekadë që kjo tarifë nuk ndryshon dhe të ardhurat nga buxheti i shtetit prej një dekade nuk ndryshojnë. Siç thotë dhe EBU-ja ndoshta ka ardhur koha qe i gjithë modeli financiar të rishikohet”, deklaroi Vasili.