E Hënë, 2 Nëntor 2026

Aksidentet rrugore ulen me 8,1% në gusht

TIRANË, 1 tetor/ATSH/ Në muajin gusht 2025 janë regjistruar 159 aksidente rrugore në të gjithë vendin, nga të cilat kanë rezultuar të aksidentuar 229 persona, përfshirë të vrarë dhe të plagosur.

Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave (INSTAT), numri i aksidenteve përgjatë muajit gusht, krahasuar me gushtin e vitit 2024 ra me 8,1%. Në gushtin e vitit të kaluar u shënuan 173 aksidente.

Aksidentet rrugore, në 91,2 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve, në këtë periudhë, është kryer nga grup-mosha 45-59 vjeç, duke zënë 25,8 % të numrit të aksidenteve gjithsej.

Brenda muajit gusht, dita me numrin më të lartë të aksidenteve ka qenë e hëna, me 18,2% të rasteve, ndërsa më pak aksidente janë regjistruar ditën e martë, me 11,3%.

Nga ana tjetër, aksidentet kanë ndodhur më së shumti gjatë orëve të mbrëmjes, konkretisht në harkun kohor 19:00-24:00, që përbën 23,3% të totalit të aksidenteve të ndodhura në muajin gusht.

Për periudhën janar-gusht 2025, aksidentet rrugore kanë shënuar një rënie prej 14,7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›