E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tiranë, sekuestrohet makinë me vlerë rreth 160 mijë euro

TIRANË, 1 tetor /ATSH/ Policia e Tiranës sekuestroi një makinë “Lamborghini Urus” me vlerë rreth 160 mijë euro, e cila dyshohet se është përfituar nga të ardhura kriminale.

Policia njoftoi sot se në kuadër të operacionit “Manovra”, u ndalua në aksin rrugor “Sauk-TEG”, automjeti tip “Lamborghini Urus”, me drejtues shtetasin S. Sh., 34 vjeç, me precedentë për vjedhje nëpërmjet përvetësimit të padrejtë të detyrës shtetërore, dhunë në familje dhe kundërshtim të punonjësve të Policisë.

Sipas policisë, nga verifikimet e mëtejshme dyshohet se ky shtetas e kishte regjistruar këtë automjet, në emër të një subjekti tregtar në pronësi të shtetasit E. D., me qëllim justifikimin e vlerës së tij.

Në vijim të veprimeve procedurale policia nisi procedimin penal për të dy këta shtetas. Vijojnë hetimet për të gjurmuar dhe sekuestruar pasuri të tjera të shtetasit S. Sh.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›