Aksidentoi pushuesin në Gjirin e Gjipesë me gomone, arrestohet 27-vjeçari

TIRANË, 16 qershor /ATSH/ Policia e Vlorës arrestoi një 27-vjeçar i cili një ditë më parë përplasi një pushues në Gjirin e Gjipesë në Himarës.
Policia njoftoi sot se “në vijim të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në vendin e quajtur Gjiri i Gjipesë, Dhërmi, Himarë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, shtetasin K. V., banues në Orikum”.
Sipas policisë “ky shtetas, ditën e djeshme, duke drejtuar një mjet lundrues (gomone), ka goditur në det me pjesën e përparme të gomones, shtetasin D. S., 46 vjeç, banues në Gjermani, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës”.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Ndërkaq në qytetin e Durrësit, specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasin S. Xh., 51 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
“Nga veprimet hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në zonën e quajtur “Shkëmbi i Kavajës”, rezultoi se shtetasi S. Xh. i ka dhënë me qira një mjet lundrues Jet Ski, pa masat e sigurisë të nevojshme, shtetasit belg H. K., i cili nuk është i pajisur me leje drejtimi për këtë kategori mjetesh. Gjithashtu, shtetasi S. Xh., gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, ka dhënë informacione të rreme për rastin”, njoftoi policia.
Sipas policisë “shtetasi H. K., që u dëmtua gjatë manovrave me mjetin lundrues, vijon të jetë në spital, në kujdesin e mjekëve”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
/m.q/ /a.g/