E Martë, 3 Nëntor 2026

Aksion për pastrimin e burimeve termale në Leskovik

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Në Ditën Botërore të Mjedisit, punonjës të Bashkisë së Kolonjës ndërmorën një aksion për pastrimin e zonës pranë Burimeve Termale të Sarandoporit në Leskovik, një Monument Natyror unik për nga bukuritë dhe vlerat.

Sipas njoftimit të kësaj bashkie, aksioni u fokusua tek pastrimi i mbetjeve përgjatë degëzimit të lumit të Vjosës, duke përfshirë një territor të shtrirë edhe në peizazhin e gjelbër.

Burimet Termale të Sarandoporit, thesari i vlerave natyrore ,mjekësore dhe turistike, po tërheqin një fluks të lartë vizitorësh, sidomos të huaj, të cilët kanë gjallëruar ekonominë lokale.

Ujërat termale të “Sarandoporit” pak minuta larg nga qyteti i Leskovikut, janë kthyer vitet e fundit në një destinacion turistik.

“Burimet Termale Sarandoporo”, monumenti i natyrës, gjendet pranë fshatit Kuqesh të Leskovikut në rrethin e Kolonjës, buzë lumit Sarandoporës  që është një degëzim i Vjosës.

Përveçse një atraksion turistik shumë i veçantë për të apasionuarit e natyrës, këto burime kanë elementë shumë të pasur kurativë nga karakteristikat gjeologjike e hidrologjike që shfrytëzohen nga vendas e turistë të huaj në të ashtuquajturat vaska termale.

Vendi shtrihet përgjatë një kanioni rreth 200 metra i gjatë, mbi një luginë të rrethuar nga një peizazh natyror me florë dhe faunë të pasur.

Temperatura e ujërave termalë, 430 metra mbi nivelin e detit shkon nga 29 – 40°C dhe janë kurative për reumatizmën.

Nga aksioni i pastrimit të Bashkisë Kolonjë në Burimet Termale në Leskovik 1 nga 8

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›