Aksion për pastrimin nga Buna në Vilun – Dhjetëra punonjës largojnë mbetjet e vërshimeve

Ndërmarrja e Shërbimeve Publike në Bashkinë Shkodër, ka nisur prej tre ditësh aksionin për pastrimin e bregdetit të Velipojës, nga mbetjet e shumta të sjella nga vërshimi i lumenjve.
Ky aksion po zhvillohet në një sipërfaqe të gjerë, nga Grykë derdhja e lumit Buna deri në zonën e Vilunit, me qëllim përmirësimin e pastërtisë dhe ruajtjen e mjedisit.
Drejtori i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike Altin Salihi u shpreh se në këtë aksion janë angazhuar dhjetëra punonjës, si dhe mjete dhe kamionë të posaçëm për largimin e mbetjeve.
“Kemi 3 ditë që po punojmë për pastrimin e komplet mbetjeve që ka nxjerrë deti dhe mundohemi ta mbajmë sa më pastër dhe sot janë të angazhuar gati 65 punëtor”, u shpreh Drejtor i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike.
Salihi i bën apel qytetarëve dhe bizneseve të tregojnë kujdes për mjedisin, veçanërisht për bregdetin, i cili pret vizitorë në fundjavë edhe tani në stinën e dimrit.
“Apeli për qytetarët dhe bizneset është që të çojnë mbetjet në vendet e tyre”, tha Salihi.
Autoritetet bëjnë me dije se puna do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me qëllim mirëmbajtjen e plazhit gjatë gjithë sezonit veror dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për turistët.
Gazetar: M. Rakaj
/rtsh.al/